Pothuajse 80% e automjeteve të importuara në RMV janë të përdorura, a do prezantohen rregulla më rigoroze? (Infografik)

Numri i automjeteve në Maqedoninë e Veriut është rritur për 200 mijë brenda një dekade. Qytetarët përdorin automjete të vjetra pothuajse dy dekada, kryesisht për shkak të çmimit më të ulët. Automjetet e përdorura janë edhe shumë më të kërkuara, gjë që dëshmohet nga fakti se pothuajse 80% e automjeteve të importuara janë të përdorura. Qeveria paralajmëron standarde më të rrepta evropiane për importin, ndërsa edhe ekoaktivistët kërkojnë rregulla më të ashpra, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Аutomjet 19 vjet i vjetër i importuar nga Gjermania, i blerë nga importues i makinave të përdorura e që me gjasë përdoret në Shkup.

Kështu me pak fjalë mund të përmblidhen të dhënat e institucioneve për automjetet me të cilat disponojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave në vitin 2025 Maqedonia e Veriut ka regjistruar një import rekord të automjeteve – 69.400. Këtu bëjnë pjesë makina, kamionë dhe autobusë. Nga këto numri më i madh ose 60.459 janë makina, nga të cilat 77,4% janë automjete të përdorura, ndërsa pjesa tjetër janë të reja.

Kur vendosin të blejnë një makinë qytetarët më shpesh interesohen për makinat e përdorura, ndërsa arsyeja kryesore për këtë është çmimi.

“Unë dhe bashkëshorti diskutuam për një kohë të gjatë se çfarë lloj makine të blinim dhe të them të drejtën më frikësoi opsioni i marrjes së një kredie shtatëvjeçare për të blerë një makinë të re, vërtetë ngec me këstet bankare kur paratë nuk na dalin as për ta kaluar muajin. Kjo ishte arsyeja kryesore pse vendosëm për një makinë të përdorur, edhe pse edhe çmimet e tyre janë rritur”, tha Nikolina nga Shkupi.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk. Burimi: Radio Evropa e Lirë
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk. Burimi: Radio Evropa e Lirë

Kushte më rigoroze për ajër më të pastër?

Por në ndërkohë edhe në rregulloret vendase dhe ato evropiane po njoftohet për një shtrëngim të rregullave dhe kushteve. Me kërkesa të ndryshme në këtë drejtim për vite me radhë dalin edhe eko-aktivistët, sipas të cilëve kjo është një nga mënyrat për të ndikuar në uljen e ndotjes së ajrit.

Shkupi gjatë sezonit të ngrohjes është shpesh ndër qytetet më të ndotura në Evropë dhe në botë. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS), një e treta e makinave në vend qarkullojnë në kryeqytet, nga gjithsej 580.210 të regjistruara në vitin 2024, 193.356 ose 33% janë  në Shkup.

“Mësojmë se për pagesat për importimin të automjeteve duhet të aplikohet tatim i shkallëzuar – sipas emetimeve të substancave ndotëse. Paratë nga këto taksa duhet të dedikohen për përmirësimin e kushteve për transportin publik, për këmbësoret dhe përdorimin e biçikletave dhe mjeteve të tjera mikromobile të transportit”, tha Darko Arsovski Petrovski nga OJQ “Go Green” .

Duke argumentuar pikëpamjet e tij, ai i referohet edhe raportit mbi Inventarin Kombëtar të Gazrave Serrë në Maqedoninë e Veriut, sipas të cilit sektori i transportit zë vendin e dytë për kah emetimet e gazrave serrë me një pjesëmarrje prej 27,7% (pas sektorit “energjetika”).

“Në këtë sektor 99% i takon transportit rrugor, ndërsa emetimet nga transporti hekurudhor janë 0,4% (në vitin 2016), ndërsa emetimet nga aviacioni vendas janë afër zeros”, shton Arsovski Petrovski.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk. Burimi: Radio Evropa e Lirë
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk. Burimi: Radio Evropa e Lirë

“Go Green” ishte një nga dhjetëra organizata joqeveritare të cilat e nënshkruan iniciativën që u dorëzua në Qeveri në fund të vitit 2024, me të cilën ndalohej importi i automjeteve të përdorura që janë më të vjetra se 10 vjet dhe nën standardin ekologjik “Euro 5”.

“Automjetet lëshojnë mbi 200 komponime toksike, prej të cilave numri më i madh janë kancerogjene dhe mutagjene, që do të thotë se ndikojnë në materialin gjenetik dhe i ndryshojnë gjenet. Ato janë sidomos toksike për fëmijët në zhvillim. Të gjithë ne si qytetarë lëvizim përgjatë shtigjeve për këmbësorë që janë përgjatë rrugëve. Fëmijët janë në një lartësi në të cilën i thithin drejtpërdrejt këto gazra të shkarkuara dhe janë vërtet më të prekurit”, tha atëkohë Tatjana Çakulev nga Iniciativa O2 në një konferencë për shtyp para Qeverisë.

Sipas informacioneve të disponueshme publikisht, eko-standardi minimal i lejuar për emetimet e dëmshme nga automjetet motorike për import është “euro 4“, ndërsa më i larti, pra me emetimet më të ulëta, është “euro 6”.

Ndryshime edhe në rregulloret vendase edhe në ato evropiane

Deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje nëse planifikohet ndonjë shtrëngim i kushteve. Por, njoftoime për “rregulla më rigoroze dhe procedura të qarta” në dhjetor kishte nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, nga ku njoftuan për ndryshime në Ligjin për Automjetet, me qëllim që ai të harmonizohet me rregulloret evropiane.

Pas një takimi pune me një ekspert nga Sllovenia nga atje theksuan se qëllimi është të definohen hapa konkret për të pasur një sistem të qartë dhe të parashikueshëm që, ndër të tjera, do të ofrojë “procedura moderne për miratimin dhe importimin e automjeteve”, si dhe “një mbikëqyrje më rigoroze dhe më efikase” dhe rend institucional të përforcuar në të gjitha fazat e procesit – nga dokumentacioni e deri te kontrolli”.

Paralelisht në Bashkimin Evropian planifikohet prezantimi i rregullave më rigoroze në vitet e ardhshme kur bëhet fjalë për eksportin e makinave të vjetra drejt vendeve të treta. Pra, certifikata të posaçme për rregullshmërinë e një pjese të automjetit, si dhe riparime para eksportit të mundshëm. E gjithë kjo do ta rriste çmimin e blerjes, gjë që i frikëson edhe stërshitësit vendas.

“Duke e ditur fuqinë blerëse të 90 përqind të klientëve tanë kjo do të jetë një gjë negative si për blerësit ashtu edhe për stërshitësit. Kjo automatikisht do ta rriste çmimet e makinave dhe me të edhe taksat në vend”, tha një stërshitës i makinave të përdorura nga Koçani, i cili kryesisht importon dhe stërshet automjete nga vendet e Evropës Perëndimore nëpërmjet Bullgarisë.

Më së shumti importohet nga Gjermania

Automjetet nga Gjermania janë zgjedhja më e shpeshtë për importim nga stërshitësit dhe blerësit. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) në 11 muajt e parë të vitit 2025 makinat e përdorura të importuara nga tregu gjerman ishin dominante –  gjithsej 24.955. Franca është e dyta me 5.368 automjete të importuara, ndërsa Japonia është në vendin e tretë me 2.853.

Lista e 5 vendeve të para nga të cilat importohet numri më i madh i automjeteve të përdorura në vend plotësohet nga Spanja dhe Italia me përkatësisht 2.058 dhe 1.652 makina. Ngjashëm ishte edhe në vitin 2024 kur nga Gjermania u importuan 24.843 automjete të përdorura.

Për një dekadë 200.000 makina më shumë

Të dhënat me të cilat disponon Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë edhe se rritet numri i makinave në rrugët e Maqedonisë.

Vit pas viti ai vazhdimisht rritet, kështu që për një dekadë ka 200.000 më shumë. Nëse në vitin 2015 numri i makinave të regjistruara ka qenë 383.833, në vitin 2024 ka qenë 580.210. Numri më i madh, 193.356, ndoshen në Shkup, ndërsa nga pothuajse 30 mijë automjete janë regjistruar në dy qytetet e tjera më të mëdha sipas numrit të popullsisë, Manastir dhe Kumanovë.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës mosha mesatare e automjeteve të regjistruara në vitin 2024 ka qenë 19,4 vjet. Kjo mesatare i referohet edhe dhjetë viteve të fundit. Më e ulët ka qenë në vitin 2004 dhe në vitin 2008, kur mosha mesatare e automjeteve të regjistruara ka qenë 15.4 vjet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit