Porosi dhe emaile nga sistemi Safe City në adresë të qytetarëve/ MPB-ja bën thirrje për kujdes

Një valë mesazhesh të dyshimta elektronike dhe SMS-porosish, të cilat paraqiten si njoftime zyrtare nga sistemi “Safe City” dhe institucione në kuadër të MPB-së iu dërgohen qytetarëve. Kjo po ngrit shqetësime serioze për sigurinë digjitale dhe keqpërdorimin e të dhënave personale.

Në këto mesazhe zakonisht thuhet se marrësi ka kryer shkelje rrugore dhe i dërgohet një link për pagesë, përmes të cilit qytetarët ridrejtohen në faqe jozyrtare, për të kryer pagesën për shkeljen e pretenduar.

Nga Ministria e Brendshme bëjnë thirrje të mos hapen mesazhet e rreme dhe të mos ndahen të dhënat personale, të verifikojnë adresën e dërguesit pasi siç sqarojnë nga atje, kompanitë zyrtare përdorin vetëm domene zyrtare.

“Njoftimet SMS për kundërvajtjen e kryer duhet të jenë ekskluzivisht nga dërguesi “MVR-SC”. Teksti duhet të përmbajë domosdoshmërisht targën e automjetit që ka kryer kundërvajtjen, dhe linkun në formatin si në vijim https://safecountry.mvr.gov.mk…”, njoftojnë nga MPB-ja.

Aktualisht ministria po alarmon përmes apeleve, ndërsa thonë se sektori i Krimit Kompjuterik në Ministrinë e Punëve të Brendshme vazhdon të hetojë në mënyrë aktive dhe të marrë masa për zbulimin dhe sanksionimin e kryerësve të këtij lloji mashtrimi.

“MPB ndërmerr masa dhe aktivitete përkatëse për identifikimin e personave dhe zbulimin e adresave nga të cilat janë dërguar mesazhet, me qëllim zbardhjen e rasteve”, deklaroi Goce Andreevski, MPB.

Përveç mesazheve nga sistemi “Safe City” qytetarët po pranojnë porosi të rreme elektronike edhe në emër te drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev dhe Njësitit të Sigurisë Kibernetike. Nga MBP thonë se kanë marrë denoncime se qytetarëve u jepen udhëzime që brenda 24 orëve të shkohet në stacion policorë, ose të dërgojnë një e-mail kthimi, sepse pranuesi i porosisë, supozohet se është objekt i hetimeve penale për vepra të sajuara penale, si pornografi me fëmijët, pedofili apo trafikim të drogës. Nga MPB thonë se qëllimi është që pranuesi i porosisë, të regjistrohet përmes e-mailit dhe të jep të dhënat e tij personale. Këto porosi elektronike, sipas MPB-së, janë një përpjekje klasike për mashtrim. Ftesat drejtuar qytetarëve lidhur me procedurat hetimore të MPB-së nuk dërgohen me e-maile. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit