Fluturimet në Aeroportin e Shkupit po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe aktualisht nuk ka ngecje në punën e Kontrollit të Trafikut Ajror, pas incidentit të 4 janarit, kur disa persona hynë me forcë në hapësirat e këtij institucioni që drejton fluturimin e aeroplanëve nga aeroporti ndërkombëtar i Maqedonisë së Veriut.
Por, drejtuesit e Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit thanë se nuk e përjashtojnë mundësinë e mbylljes së hapësirës ajrore derisa të zbardhet rasti i sulmit ndaj punonjësve, të cilën dolën në mbështetje të një proteste kundër punësimeve partiake, siç pretendon sindikata.
“Nëse nuk zbardhet rasti, ne jemi të vendosur që nga 10 janari të mbyllim hapësirën ajrore mbi Maqedoninë e Veriut, sepse beteja jonë ka të bëjë edhe me garantimin e sigurisë së çdo pasagjeri që udhëton me aeroplan”, tha kryetari i kësaj sindikate, Aleksandar Tasevski.
Por, drejtori i Kontrollit të Fluturimeve Civile, Fahrudin Hamidi, tha se “hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e sigurt” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e rrezikuar.
Ai theksoi se “personat që e kanë mbështetur grevën, janë të mashtruar nga kryetari sindikatës”, të cilin Hamidi e akuzon për “sabotim të punës” në kohën kur, sipas tij, ky institucion ka kaluar një krizë të rëndë financiare dhe është kompletuar me “kuadër të kualifikuar”.
Incidenti në hapësirat e Kontrollit të Trafikut Ajror ndodhi derisa sindikata e këtij institucioni po protestonte kundër një konkursi për punësime të reja, e që nga sindikalistët konsiderohej i jashtëligjshëm për shkak të shkeljes së procedurave me synimin për punësime të kuadrove të partive në pushtet.
“Shpallja e fundit është e diskutueshme për disa arsye, janë shkelur afatet, është penguar përzgjedhja e përcaktuar me ligj, janë kërkuar raporte mjekësore gjatë konkursit për punësim, gjë që me ligj nuk mund t’u kërkohet. Ne, si sindikatë, nuk kemi qenë as të njoftuar për përzgjedhjen, nuk kemi qenë të përfshirë edhe pse është obligim ligjor sipas marrëveshjes kolektive”, deklaroi kryetari i sindikatës, Aleksandar Tasevski.