Policia kriminale ka nisur hetime në deponinë “Drislla”, për të përcaktuar nëse zjarrvënia e fundit mund të ketë qenë e organizuar nga persona të përfshirë nga brenda. Lajmi u konfirmua nga drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, njëherësh edhe shef i Shtabit për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellov, në një konferencë për shtyp pranë deponisë.
Sipas Angellovit, ka pasur të paktën tre tentativa të tjera për djegie në deponi, por ato janë shuar në kohë. Ai theksoi se për këtë arsye ka kërkuar nga Policia Kriminale që të zhvillojë intervista me punonjësit e “Drislla”, për të mbledhur informacione rreth mundësisë së një përfshirjeje të brendshme apo të jashtme.
“Nuk kemi ende një të dyshuar konkret, por hetimet po vazhdojnë. Po shqyrtohet edhe mundësia që zjarrvënia të jetë kryer nga dikush nga jashtë, ndoshta i pajisur me bidon benzine apo mjete të tjera të ngjashme, për shkak të pranisë së gazrave të ndezshëm në deponi,” tha Angellov.
Ai njoftoi gjithashtu se në ditët në vijim do të shtohen masat e sigurisë dhe do të vendosen metoda shtesë për monitorimin e deponisë, me qëllim identifikimin e personave të përfshirë. Sipas tij, është e pakuptueshme si pas çdo ndërhyrjeje tymi rritet, edhe pse zjarri është zvogëluar ndjeshëm