Aktivisti dhe njëri nga organizatorët e protestave së studentëve të jurisprudencës, Mevlan Ademi sot është ftuar në stacionin policor në Bit Pazar për të dhënë deklaratë lidhur me organizimin e protestave të fundit.
Ademi në deklaratë për Fakti ditor deklaroi se para tij në stacion policor është marrë në pyetje edhe kolegu i tij, Jon Selimi, bashkëorganizator i protestave studentore.
“Me të nisur në stacion policor njoftimin për protestën e së hënës, kolegu Jon Selimi është mbajtur për një kohë ndërda është marrë në pyetje. Po mbrëmë, policia më çoi ftesë që të paraqitem në stacion për bisedë, konkretisht ti përgjigjem pyetjeve që i ka policia për mbarëvejtjen e protestës. Pyetjet dje drejtuar kolegut Jon Selimi kanë qenë nëse do ketë megafonë, pankarta si do shkoj protesta…, ndërsa sot pres unë të shohë çfarë pyetje do më bëjnë”, tha Ademi.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.



