Plani i veprimit për pakicat me Bullgarinë, në të cilin TV 24 ka pasur qasje, përmban rreth pesëdhjetë faqe ku janë të përfshira pikat për të cilat obligohet shteti. Në këtë Plan Veprimi parashihet edhe kriminalizimi i fyerjeve publike mbi disa baza.
– Nevoja për zbatimin e rekomandimeve të Komitetit për Pakicat të Këshillit të Evropës për luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes. Ndalimi i nxitjes publike të dhunës, urrejtjes ose diskriminimit mbi bazë race, përkatësie etnike, feje, bindjeje ose kombësie.
Parashihet kriminalizimi i fyerjeve publike, kërcënimeve apo shpifjeve të motivuara nga arsye racore ose fetare, si dhe dispozita kundër nxitjes, ndihmës ose përkrahjes së këtyre veprave, si dhe ndalimi i profilizimit racor.
Në Plan përmenden edhe ligje që ende presin të miratohen, ndër të cilat janë ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit, që ende pret shumicë prej dy të tretash. Theksohet edhe Ligji për përfaqësim të drejtë, i cili duhet të miratohet, si dhe punësimet në Agjencinë për Monitorimin e Gjuhëve dhe në Komisionin për Antidiskriminim. Maqedonia gjithashtu i referohet dispozitave të Kushtetutës, Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Ligjit për përdorimin e flamujve, si dhe Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
– Emërimi i një zëvendësi të Avokatit të Popullit përgjegjës për gjuhën e urrejtjes. Formimi i një sektori të posaçëm për gjuhën e urrejtjes me staf të dedikuar në Zyrën e Avokatit të Popullit, i cili do të trajtojë lëndët që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes.
Në pjesën që ka të bëjë me sistemin gjyqësor dhe prokurorial, parashihet zhvillimi i një kompleti mjetesh dhe organizimi i trajnimeve për prokurorët, gjyqtarët dhe asistentët e tyre, me qëllim rritjen e aftësive për identifikimin, hetimin, ndjekjen penale, ndëshkimin dhe regjistrimin e saktë të të dhënave për rastet e diskriminimit në sistemin e menaxhimit të lëndëve, përfshirë edhe të dhënat për diskriminimin ndaj pjesëtarëve të bashkësive.
Në këtë drejtim parashihet edhe monitorim i vazhdueshëm i praktikës gjyqësore dhe prokuroriale në rastet e diskriminimit. Në fushën e kulturës parashihet:
– Përgatitja dhe financimi i projekteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të bashkësive më të vogla joshumicë, në përputhje me Ligjin për Kulturë dhe mendimin e Komitetit Këshillëdhënës, përkatësisht pika 52 e standardeve të UNESCO-s.
Theks i veçantë i është kushtuar edhe procesit arsimor, përkatësisht zhvillimit të programeve të reja ose përmirësimit të atyre ekzistuese për lëndët në arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe punësimit të mësimdhënësve që flasin gjuhët e pakicave.
Plani i veprimit është hartuar në bashkëpunim me ekspertë evropianë. Megjithatë, ai dje u bë temë përplasjesh mes Ministrive të Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Bullgarisë, veçanërisht në pjesën që lidhet me gjuhën, pasi MPJ bullgare në shkresën e saj e cilësoi gjuhën maqedonase si “gjuhë të disponueshme që e përdorin qytetarët e RMV-së”, ndërsa Shkupi i porositi Sofjes që, në vend të politikanizimit, të merret më shumë me argumente dhe fakte dhe të tregojë vlera evropiane.



