Piktori nga Peja, Erhan Oskakaq: Arti kërkon disiplinë, përkushtim dhe besim në vetvete

Piktori nga Peja, Erhan Oskakaq, është një ndër artistët që i qëndron besnik realizmit klasik dhe impresionizmit, duke sjellë në telajo botën reale përmes portreteve dhe peizazheve të detajuara.

Në një intervistë për “Ora24”, ai rrëfen rrugëtimin e tij artistik, sfidat dhe inspirimin që e shtyn përpara.

“Unë quhem Erhan Oskakaq nga qyteti i Pejës. Arti figurativ më ka pëlqyer që nga mosha e re. Vizatimi më ka sfiduar me disiplinë, emocion dhe karakter. Që të bëhesh piktor i mirë, së pari duhet të jesh vizatues i mirë”, shprehet ai.

Sipas tij, rruga drejt profesionalizmit në art nuk është e lehtë dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm.

“Të gjithë në jetë na ka tërhequr vizatimi që nga fëmijëria, por të synosh botën profesionale është një sfidë që kërkon përkushtim jetësor.

Realizmin e mësova në Shkollën e Mesme të Artit ‘Odhise Paskali’, në drejtimin e pikturës”, thotë Oskakaq.

Ai thekson se stili i tij është i ndikuar nga realizmi dhe impresionizmi, duke përmendur edhe emra të mëdhenj të artit botëror që e kanë frymëzuar.

“Nga karakteri jam realist dhe skeptik. Më pëlqen realizmi dhe impresionizmi.

Historikisht, që nga shekulli XIX, piktorë si John Singer Sargent, Ilya Repin dhe Claude Monet më kanë frymëzuar shumë”, thekson ai.
Inspirimin kryesor e gjen në natyrën dhe vendlindjen e tij.

“Kur pikturoj për vetveten, më tërheq natyra e Rrafshit të Dukagjinit, bukuritë e qytetit të Pejës dhe natyra e Republikës së Kosovës”, shton ai.

Sa i përket procesit të punës, Oskakaq thotë se pasioni bën që koha të kalojë shpejt.

“Kur pikturoj, koha është e shkurtër, sepse e bëj me dëshirë dhe pasion”, thotë ai.
Një pjesë e rëndësishme e punës së tij është edhe bashkëpunimi me klientët, të cilin e konsideron përgjegjësi dhe besim.

“Punën me klientët e marr shumë seriozisht dhe profesionalisht. Jam person që i trajton me disiplinë dhe respekt, sepse ata janë populli që më besojnë dhe më përkrahin”, thekson ai, duke përmendur edhe punimet si portretet e dëshmorëve, portretet familjare dhe pikturat në hotele prestigjioze.

Ndër projektet më të veçanta, ai veçon një koleksion të rëndësishëm artistik.
“Pikturat monokrome bardhë e zi tek Zade Home janë një koleksion prej 12 veprash që paraqesin qytetin dhe historinë e Pejës nga shekulli XX, si dhe pikturat e dëshmorëve të kombit si Avni Zhabota dhe Valon Gashi”, shprehet Oskakaq.


Megjithatë, ai nuk heziton të flasë edhe për sfidat e profesionit.

“Sfida më reale është ekonomia. Artistët nuk vlerësohen ashtu si duhet dhe historikisht nuk vlerësohen sa janë gjallë”, thotë ai.
Në të ardhmen, ai synon të jetë më afër publikut përmes një hapësire të re artistike.

“Falë një mundësie nga kompania LayerLux, do të hapet një dyqan i ri në Pejë ku do të ketë një mini-galeri artistike me pikturat dhe vizatimet e mia. Qytetarët do të kenë mundësi të më vizitojnë aty”, bën të ditur ai.

Në fund, Oskakaq ka edhe një mesazh për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e artit.
“Të rinjtë duhet të fokusohen në arsim, në dije, të jenë stoikë dhe të besojnë në vetvete. Duhet të punojmë për shtetin tonë të dashur, Kosovën”, përfundon piktori nga Peja./ora24.tv

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit