3.8 C
Skopje
Wednesday, December 10, 2025

Pikat kufitare “Bogorodicë” dhe “Mexhitli” sot sërish do të bllokohen dy herë nga katër orë

Në periudhën nga ora 12:00 deri në 16:00 dhe nga 18:00 deri në 22:00 sipas orës lokale, pritet që edhe sot fermerët grekë të bllokojnë pikën kufitare Evzoni për hyrje dhe dalje nga Greqia drejt vendit tonë, me ç’rast komunikacioni do të ndërpritet plotësisht, përveç kamionëve me produkte greke. Në gjithë Greqinë janë vendosur mbi 50 bllokada.

Në pikën kufitare Evzoni janë parkuar mbi 300 traktorë dhe tashmë dhjetë ditë me radhë fermerët grekë periodikisht e mbyllin kufirin për qarkullim.

Bllokada janë vendosur edhe në pikat e tjera kufitare: në Niki (Medjitlija) drejt Maqedonisë, ku çdo ditë vendoset nëse dhe për sa kohë do të bllokohet komunikacioni; në Promahonas dhe Ormenio drejt Bullgarisë; si dhe në Kipi drejt Turqisë, ku ndalesa vlen vetëm për kamionët.

Pritet që sot, nga ora 12:00 deri 16:00 dhe 18:00 deri 22:00, fermerët grekë ta bllokojnë sërish pikën kufitare Evzoni për hyrje-dalje nga Greqia drejt vendit tonë.

Bllokada kryesore e fermerëve ndodhet në Greqinë Qendrore, në Nikea, afër Larisës, në autostradën Selanik–Athinë, ku komunikacioni zhvillohet nëpër rrugë dytësore, ndërsa për sot është paralajmëruar protestë në qytetin Volos dhe bllokim i portit.

Komiteti përgjegjës për bllokadat bujqësore në gjithë Greqinë ka caktuar mbledhje të re për të shtunën, në të cilën do të merret vendimi për hapat e ardhshëm.

Protestat e fermerëve filluan më 30 nëntor për shkak të rritjes së kostove të prodhimit dhe çmimeve të ulëta të shitjes së produkteve të tyre, si dhe për shkak të skandalit me subvencionet bujqësore evropiane. Ata kërkojnë gjithashtu pagesën e subvencioneve të prapambetura.

Bllokada janë vendosur në një sërë autostradash dhe rrugësh lokale nëpër gjithë Greqinë, duke vështirësuar qarkullimin, i cili tani zhvillohet nëpër rrugë alternative.

Dje, siç publikoi MIA, prokurori i Gjykatës së Lartë të Greqisë, Konstantinos Zavelas, kërkoi që prokurorët në të gjithë vendin, me ndihmën e autoriteteve policore, të ndërhyjnë në rastet kur kryhen vepra penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare në lidhje me bllokadat bujqësore, dhe nëse me to rrezikohet siguria në komunikacion.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit