11.8 C
Skopje
Thursday, October 16, 2025

Pika kufitare Rafah në Gaza pritet të rihapet të dielën

 

Ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Gideon Saar, ka bërë të ditur se pika kufitare Rafah midis Gazës dhe Egjiptit pritet të rihapet të dielën, transmeton Anadolu.

Saar pretendoi se po bëhen përgatitje për të rihapur terminalin në ditët në vijim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Më herët, ministri egjiptian i Punëve të Jashtme, Badr Abdelatty, tha se Kajro po zhvillon diskutime me Izraelin për hapjen e kufirit “fjalë për fjalë për të përmbytur Gazën me ushqim dhe materiale të ndihmës”, pasi situata në enklavë ka arritur nivele “katastrofike”.

Abdelatty tha se pika kufitare Rafah është “hapur nga ana egjiptiane 24/7”.

Sot, pika kufitar qëndroi e mbyllur nga ana palestineze pavarësisht një rihapje të planifikuar për dje sipas fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.

Që nga maji i vitit 2024, ushtria izraelite ka bllokuar lëvizjen e palestinezëve përmes pikës kufitare Rafah, dritarja e vetme e territorit me botën e jashtme që nuk kontrollohej nga Tel Avivi para fillimit të luftës izraelite në tetor të vitit 2023.

Sipas mediave izraelite, Tel Avivi refuzon të rihapë pikën kufitare derisa të marrë eshtrat e të gjitha pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi.

Hamasi tashmë ka liruar 20 pengje të gjallë izraelite dhe ka dorëzuar eshtrat e dhjetë pengjeve të tjera në këmbim të pothuajse 2 mijë të burgosurve palestinezë sipas marrëveshjes së armëpushimit. Dje, grupi tha se po bën “përpjekje të mëdha” për të gjetur eshtrat e pengjeve të tjera.

Marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit u arrit javën e kaluar, bazuar në një plan të paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Faza e parë përfshinte lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani gjithashtu parashikon rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë pothuajse 68 mijë palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e kanë kthyer enklavën praktikisht në të pabanueshme.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit