14.8 C
Skopje
Monday, November 17, 2025

Petrushevski: Buxheti 2026 është zhvillimor, rriten pensionet dhe pagat

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, në një intervistë për emisionin “Top Tema” në televizionin Telma, deklaroi se Propozim-buxheti për vitin 2026 është përgatitur në mënyrë “domaqinsore dhe zhvillimore”, duke shtuar se ai përmban masa që do të përmirësojnë standardin e qytetarëve dhe funksionimin e sektorëve publikë.

Petrushevski u përqendrua te një nga çështjet kryesore – pensionet, për të cilat paralajmëroi rritje prej mbi 10%. Ai theksoi se buxheti për mbrojtjen sociale është rritur, duke kundërshtuar deklaratat e opozitës së LSDM-së se fondet për këtë sektor janë ulur.

“Pensionet do të rriten për më shumë se 10%. Pensionistët nuk duhet të shqetësohen, sepse do t’i mbështesim buxhetet e tyre në përputhje me rritjen e kostove të jetesës”, deklaroi Petrushevski.

Sipas tij, rritje të ndjeshme pritet edhe në sektorin e shëndetësisë, ku buxheti do të mundësojë pajisje të reja mjekësore, përmirësim të shërbimeve dhe investime të mëtejshme në sistemin publik. Ai theksoi se përfitime do të ketë edhe në sektorin e arsimit, ku fondet janë rritur me rreth 3.4%, me fokus në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë.

Në aspektin ekonomik, Petrushevski parashikoi rritje të pagës mesatare neto me 6.5% dhe rritje të punësimit me 1.6%, çka sipas tij do të çojë në uljen e papunësisë në rreth 10%.

Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet e opozitës se përdoruesit buxhetorë nuk kanë marrë pjesë në hartimin e buxhetit.

“Është detyrim ligjor që të gjithë përdoruesit buxhetorë të përfshihen në proces. Qarkorja buxhetore është dorëzuar dhe është diskutuar me secilin prej tyre. Projeksionet në buxhet janë reale dhe jo manipuluese”, tha ai.

Petrushevski përmbylli se Propozim-buxheti për vitin 2026 synon stabilitet fiskal, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit