“Petite Messe Solennelle” e Rossinit triumfon në Tiranë, koncert edhe në Prishtinë më 30 janar

Vepra monumentale “Petite Messe Solennelle” e kompozitorit të njohur italian Gioachino Rossini u prezantua me sukses të madh në Tiranë, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Premiera, e mbajtur të dielën mbrëma, u realizua nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin, ku Kori i Filharmonisë së Kosovës u bashkua me Korin dhe Orkestrën e TKOBAP-së, duke ofruar një interpretim të nivelit të lartë artistik, shkruan KultPlus.

Mbrëmja u pasurua nga një kast i shquar solistësh:
Svetlana Aksenova (soprano), Enkeleida Shkoza (mezzosoprano), Klodjan Kaçani (tenor) dhe Rubén Amoretti (bas), të cilët u pritën me duartrokitje të gjata nga publiku.

Pas suksesit në kryeqytetin shqiptar, kjo vepër do të interpretohet edhe në Prishtinë, më 30 janar 2026 (e premte), në ora 19:30, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit – Atelieja.

Në koncertin e Prishtinës, interpretimi do të realizohet nga Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit – Tiranë, i përgatitur nga dirigjenti Dritan Lumshi, së bashku me Korin e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. Shoqërimi instrumental do të bëhet nga Pranvera Hoxha (harmonium), si dhe pianistët Andi Duraku dhe Lekë Salihu.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit