12.8 C
Skopje
Saturday, October 18, 2025

Person që ka ndërruar jetë, në listën për këshillin e Qytetit të Shkupit, në Novo Sellë gabim shtypi në fletët e votimit! KSHZ mori disa vendime

Në një nga listat e dorëzuara për zgjedhjen e këshilltarëve në Qytetin e Shkupit, figuron edhe një person i ndjerë. Për shkak të kësaj, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme vendosi që fleta e votimit të shpallet e pavlefshme, nëse një qytetar ka votuar pikërisht për listën ku figuron personi i ndjerë. Me njëzëri, anëtarët e KSHZ vendosën të anulojnë këtë listë për këshillin. Duke pasur parasysh se ky informacion u zbulua vonë, pra pas përcaktimit të listave, lista e dorëzuar nuk mund të hiqet nga fleta e votimit, pasi materiali zgjedhor është tashmë shpërndarë.

“Duke qenë se ky informacion u zbulua vonë, fletët e votimit janë tashmë të shtypura dhe të shpërndara dhe procesi nuk mund të ndalet, pra nuk mund të kufizohet e drejta e votës së qytetarëve. Prandaj, në këtë vendim japim edhe udhëzime të përshtatshme se si të veprohet me votat eventuale të dhëna për këtë listë kandidatësh, dmth. komisionet zgjedhore dhe këshillat e votimit do t’i konsiderojnë këto fletë votimi si të pavlefshme”, tha Boris Kondarko – Kryetar i KSHZ.

Një gjë e tillë nuk është hera e parë që ndodh. Ka pasur edhe në zgjedhjet e kaluara. Për këtë ekziston një procedurë penale.
“Një rast i tillë u shfaq edhe vitin e kaluar. Megjithatë ne ndërmorëm masa dhe e refuzuam listën sepse ai nuk ishte i regjistruar në Listën e Votuesve, ndërsa tani është i regjistruar në Listën e Votuesve dhe kjo krijon konfuzion shtesë. Megjithatë, siç thatë, dokumentet do t’i dorëzohen Prokurorisë për të nisur procedurë nëse ka baza. Vitin e kaluar u ngrit një procedurë penale, mendoj se ende vazhdon, nuk e di deri ku ka arritur, por për raste të tilla parashikohet procedurë penale”, theksoi Aleksandar Dashtevski – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Sigurisht, KSHZ e ka thirrur prokurorinë të verifikojë të gjitha informacionet dhe nëse ka bazë, të fillojë procedurë. Por, kjo nuk ishte e vetmja problematikë për të cilën diskutoi KSHZ. Në të vërtetë, në Novo Selo, në një shtëpi për të moshuarit, votimi u ndërpre për pak kohë gjatë ditës së sotme, sepse fleta e votimit kishte gabime shtypi, dmth. ishin përziera numrat rendorë të kandidatëve.

“Ai gabim është tashmë i korrigjuar dhe materiali është dorëzuar në Komunën Novo Selo, dhe votimi atje për personat e sëmurë do të zhvillohet pa pengesa dhe të gjithë do ta ushtrojnë të drejtën e tyre për votë deri në fund të ditës”, deklaroi Boris Kondarko – Kryetar i KSHZ.

Në vendet e tjera ku ishte parashikuar votim për persona të pafuqishëm dhe të sëmurë, votimi është zhvilluar pa problem dhe nuk ka pasur vërejtje nga asnjë komisioner komunal. Rezultatet e votimit të sotëm do të publikohen nesër pas përfundimit të rundit të parë të Zgjedhjeve Lokale, së bashku me fletët e tjera të votimit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit