Talat Xhaferi pritet të votohet si kryeministër i parë shqiptarë në historinë e Maqedonisë së Veriut. Ai do të jetë kryeministër në tre muajt e ardhshëm, deri në përfundimin e zgjedhjeve.
Karrierën politike Talat Xhaferi e nisi në vitin 2002, pas përfundimit të luftës në Maqedoni, kur kandidohet për deputet në Kuvend nga radhët e partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim. Prej atëherë ai vazhdimisht ka mbajtur pozita të ndryshme, ose në pushtetin ekzekutiv, ose në atë ligjvënës.
Më 27 prill të vitit 2017 ai ishte shqiptari i parë në histori të Maqedonisë së Veriut që u zgjodh për kryetar Kuvendi. Ndërsa për herë të dytë u zgjodh në të njëjtën pozitë në vitin 2020.
Zgjedhja e tij si kryetar i Kuvendit në mandatin e parë, pasoi me ngjarjet më të errëta që kanë ndodhur ndonjëherë në skenën politike në Maqedoni. Kjo ditë njihet edhe si “e enjtja e përgjakshme”, pasi gjatë procesit të votimit, në Kuvend u futën protestues të dhunshëm të cilët sulmuan deputetët dhe gazetarët.