“Pres që nesër ndryshimet e propozuara të Ligjit për vetëqeverisje lokale të jenë publikisht të disponueshme në ENER (Regjistri i vetëm kombëtar elektronik i akteve ligjore), në mënyrë që të gjithë faktorët të kenë edhe një afat tridhjetëditor për të dhënë sugjerime, vërejtje dhe propozime, pavarësisht të gjithë procesit konsultativ që është zhvilluar gjatë periudhës së kaluar”, ka paralajmëruar ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, në intervistën e tij në emisionin “Për ose kundër” në TV Alfa.
Ndër të tjera, ai zbuloi se mekanizmi për shkarkimin e kryetarëve të komunave, një nga mjetet e parashikuara me ndryshimet ligjore, nuk do të mund të përdoret gjatë vitit të parë dhe të fundit të mandatit të tyre. Viti i parë, për shkak të kohës së shkurtër për një vlerësim real të punës së kryetarit të komunës, dhe viti i fundit për shkak të palogjikshmërisë që një veprim i tillë të ndërmerret para zgjedhjeve.
“Ligji i ndryshuar nuk do të ketë efekt retroaktiv, por është e qartë se ata që nuk e kanë kryer funksionin e tyre me përgjegjësi, do të ndëshkohen në skenën politike”, theksoi ministri.
Ai vlerësoi se Maqedonia, për fat të keq, është prapa në zhvillimin e barabartë rajonal, gjë që, në përgjithësi, është rezultat i politikave të papërshtatshme të qeverive të mëparshme. Perinski sqaroi se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale aktualisht po zbaton dy programe: Programin për Zhvillim të Barabartë Rajonal, i cili krijon politika bazuar në nivelin e zhvillimit të rajoneve, dhe Programin për Disparitete, që synon të zvogëlojë dallimet mes rajoneve.
“Në bazë të koeficientit të zhvillimit të rajonit, rajoni më i zhvilluar merr më pak fonde nga programi përkatës, me qëllim të barazimit të dallimeve. Fondet mund të jenë të pamjaftueshme për të ndryshuar situatën në tërësi, por për këtë kemi në dispozicion fonde të mëdha nga Bashkimi Evropian dhe burime të tjera, të cilat duhet të shfrytëzohen”, theksoi Perinski, duke shtuar se një nga prioritetet e Ministrisë është përqendrimi në politikën e zhvillimit rajonal, pasi ajo është e ardhmja e vendit. Për këtë qëllim, tha ministri, po shfrytëzohen përvojat dhe praktikat pozitive nga vendet e rajonit, përfshirë ato nga Sllovenia dhe Hungaria.
Perinski shprehu kënaqësinë e tij për gatishmërinë dhe përkushtimin e kryetarëve të komunave për të përfituar nga mbështetja financiare për projekte infrastrukturore me fonde nga buxheti shtetëror dhe informoi se, deri më sot, në thirrjen e dytë janë dorëzuar 308 formularë aplikimi nga më shumë se gjysma e komunave në vend. Lidhur me gjendjen e realizimit të projekteve nga thirrja e parë, Perinski deklaroi se nga gjithsej 288 projekte të miratuara, vetëm 15 ende nuk kanë filluar realizimin në terren.





