Ministria për vetëqeverisje lokale vazhdon me vizitat në terren në komunat në kuadër të iniciativës “Ku zemra është në shtëpi”. Sot, ministri Zllatko Perinski, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, ministrin e kulturës dhe turizmit Zoran Ljutkov dhe zëvendësministrin për vetëqeverisje lokale, Erxhan Selimi, ishin në Komunën e Radovishit, ku filloi rikonstruksioni dhe adaptimi i ish-Shtëpisë Tregtare në një qendër kulturore multifunksionale. Ky projekt do të realizohet në faza, dhe faza e parë do të zbatohet me mjete nga buxheti shtetëror të miratuara përmes thirrjes së parë publike për mbështetjen e projekteve infrastrukturore komunale. Komuna e Radovishit tashmë ka dorëzuar formularin e aplikimit për fazën e dytë të projektit, e cila pritet të realizohet me mjete nga thirrja e dytë publike.
Përfaqësuesit qeveritarë, së bashku me kryetarin e komunës Aco Ristov, vizituan ish-Shtëpinë Tregtare, ku terreni tashmë është përgatitur për punimet e parashikuara ndërtimore.
Kryetari Ristov theksoi se ky objekt do të ketë një rëndësi të madhe për banorët e Radovishit, pasi aty do të zhvillohen të gjitha aktivitetet kulturore dhe arsimore dhe do të përmbajë hapësira për edukim.
“Radovishi nuk kishte një qendër të tillë ku qytetarët do të mund të realizonin nevojat e tyre në fushën e edukimit, arsimit, kulturës, informimit dhe shumë përmbajtjeve të tjera që do të përfshihen në objekt, i cili do të jetë i dedikuar për të gjithë nga mosha 6 deri në 66 vjeç e më tej. Objekti do të jetë i vetëqëndrueshëm, pasi do të ketë përmbajtje që do ta mundësojnë këtë”, deklaroi kryetari Ristov, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e dhënë nga Qeveria për realizimin e projektit.
Ministri Perinski shprehu falënderim për proaktivitetin e kryetarit të komunës dhe ekipit të tij në përgatitjen e dokumentacionit të projektit dhe shprehu shpresë se ata do të vazhdojnë me të njëjtin, madje edhe me një ritëm më të përshpejtuar, ndërsa Qeveria do të vazhdojë të mbështesë të gjitha vetëqeverisjet lokale.
“Sot jemi në Radovish për të shënuar fillimin e aktiviteteve ndërtimore për rikonstruksionin e ish-Shtëpisë Tregtare, një objekt që për më shumë se 30 vite ishte simbol i një periudhe tranzicioni të vështirë për të gjithë shtetin. Në përputhje me fondet që vetë komuna i ka marrë nga thirrja e parë publike për fazën e parë dhe me shpresë edhe nga thirrja e dytë publike për fazën e dytë, Komuna e Radovishit do të fitojë një objekt përfaqësues dhe të mrekullueshëm në zemër të qytetit, për kënaqësinë e të gjithë qytetarëve”, theksoi Perinski.
Ndërtimi i objektit, sipas ministrit të kulturës dhe turizmit, Zoran Ljutkov, do të kontribuojë ndjeshëm edhe në zhvillimin e turizmit.
“Si Qeveri, po investojmë shumë në Radovish dhe do të vazhdojmë të investojmë, do të vazhdojmë të ndërtojmë, sepse kjo është ajo që na frymëzon dhe është synimi ynë i përbashkët. Maqedonia duhet të ndërtohet. E di që qytetarët kanë kujtime të këqija nga e kaluara, ndiejnë zemërim, sepse në vend që të ndërtohej, Maqedonia u plaçkit. Por tani kemi një Qeveri ndryshe, me një ambicie tjetër dhe në atë drejtim do të vazhdojmë të funksionojmë”, theksoi kryeministri Mickoski.