Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, dje ishte për vizitë në rajonin e Prespës. Si pjesë e një delegacioni qeveritar të udhëhequr nga Kryeministri Hristijan Mickoski, ai mori pjesë në fillimin e aktiviteteve ndërtimore për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për vënien në funksion të vendkalimit kufitar Markova Noga.
Pas këtij aktiviteti, së bashku me Kryeministrin Mickoski, ai vizitoi komunën e Resnjës si pjesë e vizitave në terren „Ku zemra është në shtëpi“.
Së bashku me kryetarin e komunës, Jovan Tozijevski, shënuan fillimin e realizimit të aktiviteteve ndërtimore për rikonstruksionin dhe vendosjen e rrjetit primar të ujësjellësit me lidhjet shtëpiake në rrugën „Naum Veslievski“. Këto janë dy nga gjashtë projektet që do të realizohen në Resnjë me mjete nga buxheti shtetëror, të miratuara nga thirrja e parë publike për mbështetje financiare të projekteve infrastrukturore komunale.
Ministri Perinski theksoi se me rikonstruksionin e rrugës dhe ndërhyrjet në lidhjet e ujësjellësit, popullsia lokale do të përfitojë shërbime më funksionale dhe më të sigurta të furnizimit me ujë, që është një nevojë themelore për çdo familje. Projekti, theksoi Perinski, jo vetëm që do të zgjidhë problemet teknike me rrjetin e ujësjellësit, por edhe do të përmirësojë komoditetin e qytetarëve.
Kryetari i komunës, Tozijevski, informoi se paralelisht me fondet komunale, është në proces rikonstruksioni i rrugës „Goce Dellçev“, ndërsa falë mbështetjes financiare nga thirrja „BE për Prespën“, po rikonstruktohet dhe përshtatet objekti i ish-stacionit të zjarrfikësve në një objekt të destinuar për Qendrën Kulturore Rinore dhe Qendrën për Trashëgimi Kulturore të Resnjës dhe Prespës.
Ministri Perinski njoftoi se Qeveria vazhdon me përkushtim mbështetjen dhe investimet në të gjitha komunat dhe rajonet e vendit.