13.8 C
Skopje
Sunday, October 12, 2025

Perinski: Ministria e Vetëqeverisjes Lokale po përfshihet në mënyrë aktive me aktivitete konkrete për zgjidhjen e problemit të ndotjes së ajrit

“Një mjedis i pastër jetësor dhe parandalimi i ndotjes së ajrit është detyrë e çdo individi, por edhe e çdo institucioni. Edhe pse Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta në fushën e ndotjes së ajrit, ajo gjithsesi po përfshihet aktivisht me veprime konkrete aty ku ka mundësi. Mbrojtja e mjedisit jetësor dhe natyrës, si dhe ndërmarrja e masave për parandalimin e ndotjes së ajrit janë përcaktuar si kompetenca të komunave në përputhje me Ligjin për vetëqeverisje lokale. Kjo do të thotë se lufta për ajër të pastër është detyrë dhe përgjegjësi e përbashkët e të gjitha niveleve të pushtetit”, deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, në debatin mbikëqyrës të sotëm në Kuvend me temën “Efektet e ndotjes së ajrit në Shkup dhe qytetet e tjera mbi shëndetin e njerëzve dhe masat që ndërmerren për mbrojtjen e shëndetit publik”.

Perinski u ndal te Plani i Veprimit për zbatimin e programit për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim për periudhën 2024-2026, i cili parasheh masa konkrete për përballjen me ndotjen e ajrit.

“Në këtë drejtim, Plani i Veprimit për zbatimin e programit për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim për periudhën 2024-2026 parasheh masa konkrete për përballjen me ndotjen e ajrit, duke e njohur seriozitetin dhe ndikimin në cilësinë e jetës”, theksoi Perinski dhe shtoi:

“Masat e parashikuara përfshijnë përmirësimin e kushteve të transportit për mjetet që nuk shkaktojnë ndotje të ajrit, bashkëpunim të forcuar mes shtetit dhe komunave, aktivitete institucionale si monitorim i përmirësuar, mbikëqyrje më e fortë inspektuese dhe përgatitje e planeve lokale për ajër cilësor. Zbatimi i këtyre masave kërkon angazhim të koordinuar nga disa institucione, gjë që e vendos këtë temë si prioritet të merituar në politikat zhvillimore kombëtare”, potencoi Perinski.

Perinski theksoi se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale merr pjesë në mënyrë të tërthortë edhe në financimin e aktiviteteve në fushën e mjedisit jetësor. Ai nënvizoi se është e nevojshme të propozohen masa dhe zgjidhje që do ta përmirësojnë ose parandalojnë problemin e ndotjes së ajrit.

“Ministria e Vetëqeverisjes Lokale merr pjesë në mënyrë të tërthortë edhe në financimin e aktiviteteve në fushën e mjedisit jetësor. Një nga këto aktivitete është shpërndarja e fondeve të siguruara nga kompensimi për prodhimin e energjisë nga lëndët djegëse fosile, sipas nenit 187a të Ligjit për Mjedisin Jetësor. Qeveria, me propozim të ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, miraton një rregullore për metodologjinë e shpërndarjes së të ardhurave nga ky kompensim. Mjetet e mbledhura përdoren për financimin e programeve dhe aktiviteteve për menaxhimin e mjedisit jetësor në lidhje me ndikimin nga sektori energjetik, dhe kjo në rajonet e komunave në përpjesëtim me të ardhurat e realizuara nga ky kompensim”, përfundon Perinski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit