Ministri për vetëqeverisje lokale, Zlatko Perinski, me ftesë të ministrit për administratë publike dhe zhvillim rajonal të Hungarisë, z. Tibor Navraçiq, sot realizoi një vizitë zyrtare në Budapest.
Qëllimi i takimit bilateral është thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe vendosja e themeleve të forta për transferimin e përvojave dhe njohurive në fushat e zhvillimit rajonal dhe vetëqeverisjes lokale, përfshirë edhe shkëmbimin e praktikave nga përdorimi i fondeve të Bashkimit Evropian.
Në takim u diskutua për gjendjen aktuale në fushat që i mbulojnë dy ministritë, për progresin e arritur gjatë vitit të kaluar, si dhe për proceset reformuese që po zbatohen me qëllim të përmirësimit të efikasitetit dhe përgjegjshmërisë në punë.
“Gjatë vitit të kaluar e analizuam thellësisht situatën në terren dhe nevojat e komunave për zhvillim afatgjatë. Filluan me mbështetjen më të madhe për komunat deri më tani, të siguruar nga Qeveria në partneritet me Hungarinë për financimin e projekteve kapitale infrastrukturore në të gjitha komunat”, theksoi ministri Perinski, duke shtuar se përmes politikave të mirëplanifikuara, mbështetjes për ekonominë lokale dhe investimeve të drejtuara në infrastrukturë, mund të ndërtohet një sistem më i qëndrueshëm.
Ministri Perinski theksoi rëndësinë e transferimit të njohurive dhe praktikave të suksesshme nga Hungaria, veçanërisht në pjesën e mbështetjes efektive për komunat, reformimin e strukturës institucionale të Ministrisë për vetëqeverisje lokale dhe digjitalizimin e shërbimeve lokale.
Në fokus të bisedimeve ishin edhe mundësitë që i ofron programi i BE-së – URBACT, i cili mundëson bashkëpunim dhe shkëmbim të ideve inovative ndërmjet qyteteve evropiane.
“Bashkëpunimi me shtete si Hungaria, e cila ka përvojë të pasur me fondet evropiane, mund të japë kontribut të rëndësishëm në krijimin e drejtimeve tona strategjike për zhvillim të qëndrueshëm dhe të barabartë”, theksoi Perinski.
Në kuadër të vizitës, si pjesë e agjendës zyrtare, u realizua edhe një vizitë protokollare në Parlamentin hungarez.


                                    



