14.8 C
Skopje
Monday, November 10, 2025

Perinski: Brenda qershorit me Ligji të ri për Vetëqeverisje Lokale, për komuna më efikase

 

Ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski, në paraqitjen e sotme në emisionin “Studio 10” në TV24 informoi se Propozim-Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale të premten është miratuar njëzëri nga komisioni për vetëqeverisje lokale dhe komisioni juridik-ligjvënës. Perinski, siç theksoi, pret që deri në fund të majit propozim-ligji të kalojë edhe leximin e dytë dhe deri në mesin e qershorit të miratohet nga Kuvendi. Ai tha se pa dyshim pret që Propozim-ligji të marrë përkrahje nga të gjithë.

“Të gjitha këto ndryshime të propozuara në këtë ligj sistemor janë në drejtim të rritjes së transparencës, të llogaridhënies nga ata që e udhëheqin Komunën dhe i ngrisim proceset demokratike në një nivel më të lartë, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, theksoi ministri, i cili shtoi se që kur para tetë muajsh filloi procesi reformues, propozim-ndryshimet janë përshëndetur nga të gjithë akterët dhe institucionet.

Perinski theksoi se mundësia për shkarkimin e kryetarit të komunës përmes referendumit ka qenë nisma kryesore për hapjen e ligjit. Ai informoi se propozohet ulja e pragut për nisjen e një nisme qytetare nga 10 në 5 për qind, dhe në drejtim të forcimit të transparencës, përveç se seancat e Këshillit Komunal janë publike, ligji plotësohet edhe me detyrimin që informacionet për seancat dhe punën e Këshillit Komunal, si dhe procesverbalet e seancave publike të Këshillit, të publikohen në faqen zyrtare të komunës.

Çështja më e ndjeshme që ka të bëjë me higjienën në komunat, theksoi Perinski, është adresuar përmes plotësimeve të dispozitave ligjore, me ç’rast i mundësohet Komunës të formojë njësi organizative për rend komunal dhe mbikëqyrje inspektuese, ndërsa ndryshimet parashikojnë që Komuna me seli në qytet të emërojë arkitekt kryesor të qytetit për të përmirësuar gjendjen e planifikimit urbanistik.

“Të gjitha ndryshimet e propozuara janë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe janë në përputhje me Kartën Evropiane për vetëqeverisje lokale”, shtoi ministri në paraqitjen në “Studio 10”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit