Lideri ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ftuar të parin e Amerikës, presidentin Donald Trump, që të shohë pasojat e luftës para çdo marrëveshjeje me Rusinë. Ndërkohë, bota dënon ashpër sulmin në Sumy dhe kërkon veprim të menjëhershëm.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të vizitojë vendin e tij përpara çdo marrëveshjeje të mundshme me Rusinë për përfundimin e luftës. Në një intervistë, Zelensky u shpreh: “Ju lutem, para çdo vendimi apo forme negociate, ejani dhe shikoni njerëzit, civilët, luftëtarët, spitalet, kishat, fëmijët e shkatërruar e të vrarë.”
Intervista u regjistrua pak para një sulmi të dyfishtë me raketa ruse në qytetin Sumy, ku humbën jetën 34 persona dhe u plagosën 117 të tjerë. Ky është sulmi më i rëndë ndaj civilëve në Ukrainë për këtë vit. Rusia pretendon se kishte në shënjestër vetëm objektiva ushtarake, ndërsa presidenti Trump ka deklaruar se “i është thënë që ishte një gabim”, pa specifikuar burimin.
Reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar.
Friedrich Merz, kancelari në pritje i Gjermanisë, e cilësoi sulmin si një krim lufte të qëllimshëm, ndërsa kancelari në largim Olaf Scholz deklaroi se sulmi dëshmon për mungesën e vullnetit të Rusisë për paqe. Presidenti francez Emmanuel Macron foli për “mosrespekt flagrant të jetës njerëzore dhe ligjit ndërkombëtar”, ndërsa Ursula von der Leyen e quajti aktin ?barbar? dhe theksoi nevojën për “masa të forta për të imponuar një armëpushim”.
Mbështetja e SHBA-së për Ukrainën ka qenë e palëkundur, megjithatë politikat e Administratës Trump po ndryshojnë drejt një rinegociimi me Moskën. Emisarë të lartë amerikanë, përfshirë Steve Witkoff, kanë zhvilluar disa takime me presidentin rus, Vladimir Putin. Zyrtarët ukrainas janë të bindur se Moska do të përpiqet të shfrytëzojë këtë diplomaci për të fituar më shumë territor.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur alarm dhe tronditje të thellë për sulmin në Sumy.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm, António Guterres, deklaroi se “sulmet ndaj civilëve dhe objekteve civile janë të ndaluara me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe duhet të ndalen menjëherë”. Ai theksoi përkushtimin e OKB-së për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.