Përçarje në Gjykatën Kushtetuese: Kostadinovski kundërshton Badinterin, Kadriu mbështet shumicën e cilësuar

Kryetari maqedonas i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, dhe anëtari shqiptar i të njëjtës, Osmani Kadriu, kanë qëndrime të kundërta me njëri-tjetrin për mënyrën e tashme të marrjes së vendimeve në gjykatën më të lartë të vendit.

Kostadinovski sot tha ai është kundër përdorimit të kriterit të votimit të dyfishtë, përkatësisht kriterit të Badinterit në mënyrën e votimit në gjykatën kushtetuese.
Ai madje shkoi aq larg, sa që tha se më mirë do të ishte që kjo gjykatë të mbyllet krejtësisht, sesa të përdoret Badinderi.

„Një mekanizëm i tillë është i përshtatshëm për organe politike, siç është Kuvendi dhe është mekanizëm i shëndoshë. Megjithatë, në një institucion siç është Gjykata Kushtetuese që është institucion thjesht juridik, vendosja e një mekanizmi të tillë, ndoshta kam qenë brutal, por kam thënë që më mirë është që të mbyllet institucioni sesa të vendoset një mekanizëm i tillë. Pse? sepse në atë rast nuk do të vendosin argumentet kushtetuese-juridike, do të vendosin lloj tjetër argumentesh”, tha Kostadinovski në një konferencë për shtyp me Kryemnistrin Hristijan Mickoski.

Kryeministri nuk tha gjë lidhur me këtë kërkesë të disa partive politike shqiptare.
Ndryshe nga Kostadinovski, anëtari i kësaj gjykate, Osmani Kadriu, mbrëmë tha se ai është në favor të siç e quajti ai “shumicë e cilësuar” në votimet që bëhen në gjykatë kushtetuese.
Kadriu në një intervistë mbrëmë për TV Koha, tha se ai është kundër mënyrës së tashme të marrjes së vendimeve nga anëtarët e gjykatës në fjalë me shumicë të thjeshtë.
“Është non-sens [e pakuptimtë] që Gjykata Kushtetuese me aktin e saj parashef shumicë të thjeshtë, që do të thotë se mjafton pesë vota të jenë PRO që të aprovohet në një ligj, duke i përfshirë edhe ligjet që i sjellë parlamenti me shumicën e dyfishtë [kriteri i Badinterit],” tha Kadriu.

Sipas Kadriut, vendimet në këtë gjykatë do të duhej që të merren me 8 vota nga gjithsejtë 9 anëtarë që marrin pjesë në votim, dhe ai bëri thirrje për ndryshim të kushtetutës për këtë çështje.

“Duhet patjetër të ndryshohet mënyra e vendim-marrjes dhe mënyra e votimit. është non-sens i kulluar që Gjykata Kushtetuese me shumicë të thjeshtë, d.m.th. me vetëm minimum pesë të vendos për ligjet që sjellë parlamenti me shumicë të dyfishtë, ligjet me 80 vota (2-3at) ose me Badinter (në parlament). Ato (ligje) nuk mund të abrogohen nga gjykata me 5 vota. Këtu duhet që të intervenohet në kushtetutë sa më shpejt që të parashikohet një shumicë, këta politikanët e jonë e përdorin shumicën e badinterit, ndoshta është pak rëndë të zbatohet në gjykatë por unë them kështu: le të jëtë shumicë e cilësuar e ajo shumicë e cilësuar në brendinë e saj e inkorporon edhe Badinterin…Ne propozojmë 8 (nga nëntë anëtarë të gjykatës) të jenë PRO. Ne propozojmë (këtë kriter), e se çka do të pranon parlamenti është çështje e tij,” tha Osmani Kadriu.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit