Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u arrestua sot në pikën kufitare Bllacë, pasi ndaj tij ishte aktive masa “Arresto”, me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup.
Grubi dyshohet për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në kuadër të hetimeve që lidhen me Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Sipas autoriteteve, gjatë vitit 2023 dyshohet se janë shkaktuar dëme mbi 8 milionë euro në buxhet përmes veprimeve të paligjshme.
Në mesin e të dyshuarve për rastin përmenden edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe disa ish-zyrtarë të tjerë. Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, ka konfirmuar se kallëzimi penal është dorëzuar në prokurori.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se Grubi ishte larguar më herët drejt Kosovës. Vetë Grubi i ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk ishte arratisur, por ndodhej jashtë vendit për vizitë private.



