Pas përmbytjeve, Komuna e Strugës në aksion: Inspektim dhe masa urgjente për pastrimin e kanaleve kulluese

Pas situatës së krijuar nga reshjet e shumta dhe përmbytjet e ditëve të fundit, Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, doli në terren për të inspektuar nga afër gjendjen e kanaleve mbledhëse dhe kulluese në territorin e komunës.
Inspektimi u realizua pas konkluzioneve të dala nga mbledhja e shtabit për menaxhim me krizat, ku morën pjesë përfaqësues të Inspektoratit Komunal, Drejtorisë së Ujrave, Njësitit Zjarrfikës, si dhe Kryetari i Këshillit të Komunës së Strugës. Sipas autoriteteve komunale, tashmë është koha për veprim konkret.
Në fokus do të jenë identifikimi i të gjitha abuzimeve dhe uzurpimeve të kanaleve nga persona fizikë dhe juridikë, si dhe evidentimi i kanaleve të bllokuara nga mbetjet urbane. Komuna do të parashikojë mjete financiare për pastrimin e tyre në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Këto problematika, të cilat janë bartur me dekada, pritet të adresohen edhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Komunës së Strugës. Edhe pse kanalet në zonat urbane janë kompetencë e komunës, ndërsa ato në zonat jo të urbanizuara janë nën përgjegjësinë e Drejtorisë së Ujrave, institucionet kanë theksuar se kjo ndarje nuk do të pengojë ndërhyrjet emergjente.
Në kushtet e ndryshimeve klimatike, Komuna apelon për përgjegjësi të përbashkët institucionale dhe qytetare, duke kujtuar se mbeturinat e hedhura në kanale sot, nesër mund të përfundojnë në bodrumet e shtëpive të qytetarëve.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit