16.8 C
Skopje
Saturday, November 22, 2025

Pas operacionit nga hernia inguino–skrotale është zhdukur Remzi Miftari, i dënuar me 10 vite burg për aksidentin e autobusit në Llaskarcë

Pas urdhrit të Gjykatës Themelore të Gostivarit për shoqërim të detyrueshëm në burgun “Idrizovë” të të dënuarit me 10 vite burg, Remzi Miftari – i shpallur fajtor për aksidentin katastrofik të autobusit në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 udhëtarë – policia ende nuk mund ta gjejë, transmeton Portalb.mk.

Miftari duhej të shkonte në burg që në muajin maj. Policia e Tetovës nuk e gjeti në shtëpi. Në pyetjen nëse është e mundur që Remzi Miftari ka ikur nga Maqedonia për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit për tragjedinë e madhe, nga policia thanë se pikat kufitare kanë njoftuar se ai nuk e ka lëshuar shtetin, prandaj dyshohet se fshihet diku brenda vendit. Në shtëpi nuk është, dhe kërkimet po zhvillohen në disa lokacione.

“Urdhrin për shoqërim të detyrueshëm e lëshova para 3–4 ditësh. Ende nuk kam marrë njoftim nga MPB-ja dhe as nga IKN ‘Idrizovë’ se i dënuari është gjetur dhe sjellë në burg për vuajtjen e dënimit”, deklaroi për SAKAMDAKAZAM.MK gjyqtari kompetent për sanksione në Gjykatën e Gostivarit.

“Personi i dënuar për të cilin pyesni, e për të cilin IKN ‘Idrizovë’ tashmë njoftoi gjyqtarin kompetent se nuk është paraqitur në burg brenda afatit të urdhrit të paraqitjes, ende nuk është sjellë”, thanë edhe nga “Idrizova”.

Qendra Korrektuese “Idrizovë” më 7.11.2025 ka dërguar njoftim te gjyqtari i ekzekutimit të sanksioneve në Gjykatën Themelore të Gostivarit se i dënuari me vendim të formës së prerë, Remzi Miftari, nuk është paraqitur për vuajtjen e dënimit sipas afatit të përcaktuar në urdhrin e gjykatësit.

Miftari dhe Beluli e kanë shtyrë hyrjen në burg për 7 muaj. Të dy në të njëjtën kohë kanë kryer operacion nga hernia inguino–skrotale (hernia në testikuj). Për Remzi Miftarin, person përgjegjës për transportin në “Durmo Turs”, afati për shtyrjen e dënimit ka kaluar prej kohësh, ndërsa pronari i kompanisë, Durmish Beluli, ka marrë shtyrje të re, tani deri më 1 dhjetor 2025. Pas skadimit të shtyrjes, edhe ai duhet të paraqitet në “Idrizovë”.

Të dy morën dënime të formës së prerë më 9 maj të këtij viti, por ekzekutimi i tyre po zvarritet. Më 9 maj, Gjykata e Apelit Shkup i rriti dënimin pronarit Durmish Beluli, nga katër në dhjetë vite burg. Remzi Miftarit ia rriti dënimin nga gjashtë në dhjetë vite burg.

Kujtojmë që aksidenti ndodhi më 13 shkurt 2019 në autostradën Shkup – Tetovë në fshatin Llaskarcë, jetën e humbën 16 persona ndërsa 38 të tjerë u plagosën por shpëtuan. Autobusi i aksidentuar i “Durmo Turs”, ishte i linjës së rregullt Shkup-Gostivar, ndërkaq kompania transportuese vazhdon ende të bartë udhëtarë.

Pas 150 seancash gjyqësore dhe pothuajse pesë vitesh në gjykatë, të afërmit kanë shprehur vazhdimisht dyshimin e tyre se çështja është zvarritur qëllimisht nga procedurat formale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit