Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar parregullsi të mëdha në punën e Lotarisë Shtetërore gjatë vitit 2024 derisa me institucionin ka udhëhequr Përparim Bajrami.
Siç mëson Alsat, revizorët kanë gjetur mbi 70 persona që kanë marrë rrogë pa shkuar në punë dhe pa kryer detyrat përkatëse.
Plotësisht, revizorët kanë gjetur edhe udhëtime fiktive jashtë shtetit, nuk ka evidencë apo prova se persona të caktuar kanë shkuar në udhëtime zyrtare, për çka janë shpenzuar mjete financiare. Parregullsi, janë konstatuar edhe në procedurat për furnizime publike, ndërsa në vlerësimin e përgjithshëm, revizorët kanë dhënë mendim negativ për raportet financiare.
Raporti i detajuar pritet të publikohet javën e ardhshme, ndërsa Alsat mëson se për keqpërdorimet e konstatuara vetëm se është informuar Prokuroria Publike dhe Policia Financiare.
Deri tani në bazë të provave të siguruara, MPB dhe Policia Financiare ka dorëzuar pesë kallëzime penale për keqpërdorime, ndërsa Prokuroria ka hapur hetim.
Pikërisht për këtë, Gjykata kishte caktuar paraburgim për Bajramin, por edhe ish zëvendëskryeministrin Artan Grubi. Por të dy, tanimë një vit janë në arrati. Policia po i kërkon me fletëarrest ndërkombëtar, megjithatë përveç deklarimeve të politikanëve se ndodhen në hapësirat shqiptare, zyrtarisht asnjëri nuk është lokalizuar në ndonjë shtet.
Krahas rasteve për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore, më i bujshmi është ai për shpërdorimin e mbi 8 milionë eurosh. Grubi dhe Bajrami dyshohet se për nevojat e katër shoqërive tregtare për organizimin e lojërave të fatit, Mozzart, Vezuv, 77 Bits dhe Novomatik që ata i kanë formuar, Lotaria Shtetërore ka furnizuar aparate VLT në vlerë prej 8.2 milionë euro edhe pse ata nuk kanë pasur të drejtë t’i përdorin dhe për këtë, aparatet asnjëherë nuk janë përdorur. /Alsat.mk






