Kjo rezolutë, sipas analistëve në Malin e Zi, mund të ndikojë në marrëdhëniet me Kroacinë fqinje, e cila më parë paralajmëroi me një notë proteste Podgoricën për pasojat e mundshme.
Në parlamentin që numëron 81 vende, morën pjesë 42 deputetë, nga të cilët vetëm njëri ishte kundër rezolutës së miratuar.
Debati për rezolutën për gjenocidin në Jasenovac u përfshi në rendin e ditës të seancës me propozim të kryetarit të parlamentit Andrija Mandiç, i cili është përfaqësues i partive pro-serbe dhe pro-ruse në Malin e Zi.
Ai tha se rezoluta e propozuar që mbështetet nga shumica parlamentare nënkupton se “rezoluta do të marrë një formë më të gjerë dhe do të quhet rezoluta për gjenocidin në Jasenovac, sistemi i kampeve Dachau dhe Mauthausen”.
“Njerëz nga Mali i Zi, bashkatdhetarë tanë, qytetarë të ish-Mbretërisë së Jugosllavisë, në të cilën ndodhej Mali i Zi, kanë humbur jetën edhe në sistemin e kampeve Jasenovac, Dachau, Mauthausen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë, ne duam të dërgojmë një mesazh respekti për paraardhësit tanë që vdiqën atje”, tha Mandiç.
Propozimi i rezolutës për Jasenovac-in, ndodhi pasi qeveria e Milojko Spajiç mbështeti muajin e kaluar rezolutën e OKB-së për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë, të cilën partitë pro-serbe dhe pro-ruse e kundërshtuan.
Për shkak të miratimit të rezolutës për Jasenovcin, e cila gjendet në territorin e Kroacisë, menjëherë reagoi Ministria e Jashtme kroate duke vlerësuar veprimin e vendit fqinj si instrumentalizim i viktimave për qëllime politike.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë shprehu keqardhjen e saj që “Mali i Zi vendosi të injorojë thirrjet për të mos politizuar viktimat e Jasenovacit dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi”.
Në deklaratë thuhet se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një nga elementët kyç të procesit të zgjerimit dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e progresit në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi.
“Republika e Kroacisë priste që, pas marrjes së IBAR-it, Mali i Zi do të përmbahej nga çdo aktivitet që mund të çonte në prishjen ose përkeqësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe se do t’i përqendronte përpjekjet e saj në përmbushjen e kushteve dhe standardeve në procesin e anëtarësimit, disa prej të cilave janë veçanërisht të rëndësishme për Republikën e Kroacisë./VOA/