5.8 C
Skopje
Tuesday, October 28, 2025

Paraburgim 30 ditë për drejtorin dhe punëtorin e “Higjienës Komunale” për rrezikim të mjedisit

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave nën dyshimin për kryerjen e veprës penale – Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina sipas nenit 230, paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Të dyshuarit, njëri prej të cilëve është ushtrues detyre drejtor dhe tjetri udhëheqës i mbeturinave në NP “Higjiena Komunale” – Shkup, së bashku kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave dhe aktivitetin e tyre kryesor për mbledhjen dhe transportimin e rregullt të mbeturinave të padëmshme në zonën e Qytetit të Shkupit, si dhe detyrimet e përcaktuara në Programin operativ për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave komunale dhe Planin operativ për ruajtjen e pastërtisë publike në qytet. Duke mos mbikëqyrur plotësisht mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale, si dhe me menaxhimin jo të duhur të mbeturinave, ata kanë mundësuar krijimin e deponive të vogla në sipërfaqet publike dhe të trafikut, pranë kontejnerëve të caktuar për mbledhjen e mbeturinave komunale, gjatë muajit, gjë që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në cilësinë e tokës, ajrit dhe ujit dhe ka rrezikuar jetën dhe shëndetin e njerëzve duke shkaktuar sëmundje infektive ose të tjera”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dyshime të tilla janë vërtetuar dhe përfunduar nga inspektime të jashtëzakonshme nga inspektorë të autorizuar lokal të mjedisit, të cilët kanë dalë në terren me udhëzime të prokurorisë publike, si dhe nga një mendim eksperti mbi ndikimin e mbeturinave në shëndetin publik dhe mundësinë e përhapjes së sëmundjeve infektive nga Instituti i Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë.

Për shkak të rrezikut të ndikimit te dëshmitarët dhe mundësisë së përsëritjes së krimit, prokurori publik i paraqiti propozim Gjykatës Themelore Penale në Shkup për përcaktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit. Gjykata e ka pranuar propozimin, duke vendosur 30 ditë paraburgim për drejtorin, Sabahudin Rustemin, dhe udhëheqësin për menaxhim me mbeturinat, Aki Saitin.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit