7.8 C
Skopje
Saturday, December 13, 2025

“Paqja nuk është larg”, Erdogan-i optimist pas takimit me Putin-in

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se shpreson të diskutojë një plan paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë edhe me presidentin amerikan, Donald Trump, duke theksuar se “paqja nuk është larg”. Deklarata u bë pas kthimit të tij nga Turkmenistani, ku zhvilloi një takim me presidentin rus, Vladimir Putin.

Sipas një njoftimi nga zyra e Erdogan-it, dy liderët vlerësuan përpjekjet “gjithëpërfshirëse për paqe” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa Turqia riafirmoi gatishmërinë për të mbështetur çdo iniciativë që synon ndaljen e konfliktit.

“Pas këtij takimi me Putin-in, shpresojmë të kemi mundësinë ta diskutojmë planin e paqes edhe me presidentin amerikan Trump. Paqja nuk është larg, ne e shohim këtë”, tha Erdogan për gazetarët gjatë fluturimit të kthimit.

Presidenti turk bëri të ditur se i ka propozuar Putin-it një armëpushim të kufizuar, të fokusuar veçanërisht në objektet energjetike dhe portet, duke e cilësuar këtë hap si të dobishëm për uljen e tensioneve.

“Deti i Zi nuk duhet të shihet si një fushëbetejë. Një situatë e tillë do të dëmtonte vetëm Rusinë dhe Ukrainën”, u shpreh Erdogan. Ai theksoi se lundrimi i sigurt në Detin e Zi është jetik për të gjitha palët dhe duhet të garantohet.

Deklaratat e Erdogan-it vijnë në një moment tensionesh të shtuara, pasi Rusia sulmoi dy porte ukrainase të premten, duke dëmtuar tre anije në pronësi turke, përfshirë një mjet lundrues që transportonte ndihma ushqimore. Sulmet ndodhën pak ditë pasi Moska kërcënoi se do ta shkëpuste Ukrainën nga qasja në Detin e Zi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit