Sllupçan, 28 Shtator 2024 – “Te Pishat” në Sllupçan është një vend i njohur për bukurinë natyrore dhe freskinë që ofron, ku banorët dhe vizitorët vijnë për t’u relaksuar dhe shijuar natyrën. Por, një pamje e trishtë e ka pushtuar këtë vend të mrekullueshëm: Mbeturina të shpërndara në çdo cep, të hedhura nga njerëz të papërgjegjshëm.
Në çdo shëtitje përgjatë shtegut të njohur, mund të gjesh qese plastike, shishe, kanaçe dhe mbetje të tjera që ndotin ambientin.
Ky fenomen është bërë një problem serioz, jo vetëm për natyrën dhe të gjithë ata që e frekuentojnë këtë vend, por edhe për imazhin e përgjithshëm të Sllupçanit si një destinacion turistik dhe rekreativ.
“Është për të ardhur keq të shohësh një vend kaq të bukur të ndotur në këtë mënyrë. Ne vijmë këtu për të kaluar kohë me familjet tona, por është e pamundur të mos vësh re këto mbeturina,” thotë një banore lokale. Ajo shprehet e shqetësuar për ndikimin e kësaj papastërtie në natyrë dhe në jetën e egër që e rrethon këtë zonë.
Autoritetet lokale dhe grupet ambientaliste janë përpjekur vazhdimisht të sensibilizojnë qytetarët për rëndësinë e mbajtjes së pastërtisë në vende publike. Megjithatë, duket se kjo përpjekje nuk ka arritur të prekë ndërgjegjen e të gjithë vizitorëve. Ata apelojnë për një sjellje më të përgjegjshme dhe për respektimin e mjedisit të përbashkët.