6.8 C
Skopje
Tuesday, October 14, 2025

Palestinezët: Për të siguruar ushqim në rripin e Gazës duhet të përballesh me vdekjen

Gratë dhe fëmijët palestinezë përshkruajnë betejën e tyre për të siguruar ushqim mes sulmeve izraelite në Rripin e Gazës.

“Izraelitët na qëllojnë me predha dhe plumba këtu. Jemi të detyruar të shtrihemi përtokë. Plumbat fluturojnë mbi kokën time. Nëse e ngrini kokën, do të goditeni. Nëse qëndroni poshtë, plumbat bien rreth jush”, u shpreh Faiza al-Teramsi, Palestineze.

“Dal çdo ditë mes vdekjes për t’u sjellë ushqim. Shoh të vdekurit dhe të plagosurit. Nëse vritem, kush do të kujdeset për fëmijët e mi? Ka mijëra gra si unë. Ne duam siguri, paqe dhe një sistem të drejtë që siguron që ndihma të arrijë tek ata që kanë nevojë”, tha Inam Siam, Palestineze.

“Unë jam më i madhi nga vëllezërit e motrat e mia . Babi im u vra në një sulm ajror. Po përpiqem t’i kërkoj kujtdo të më japë një pjatë miell ose një vakt nga ndihma që mbërriti”, theksoi Mohamed Mudeiris, Palestinez.

“Ka shumë gra si unë që nuk mund të sigurojnë ushqim për fëmijët e tyre. Disa të rinj e marrin ndihmën dhe e shesin me çmime të larta. Unë jam e pafuqishme dhe nuk kam mundësi ta blej. E hedh veten në rrezik për t’u sjellë ushqim fëmijëve të mi. Shpresojmë që bota të sigurojë një mekanizëm të drejtë shpërndarjeje”, nënvizoi Asma Masoud, Palestineze.

Një ditë më parë forcat izraelite vranë të paktën 33 palestinezë, ndërsa po përpiqeshin të merrnin ushqim në Gaza, thanë zyrtarët palestinezë. Dëshmitarët thanë se forcat izraelite qëlluan mbi turma të uritura që po përpiqeshin të merrnin ndihma ushqimore nga një pikë shpërndarjeje, në jug të territorit. Ushtria izraelite thotë se ka qëlluar vetëm me të shtëna paralajmëruese ndaj njerëzve që i afrohen forcave të saj. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se gjashtë të rritur palestinezë vdiqën nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të vdekurve midis të rriturve në 82 gjatë pesë javëve që janë numëruar vdekje të tilla. Nëntëdhjetë e tre fëmijë kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen që nga fillimi i luftës, tha ministria. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit