Edhe pse muaji nëntor po i afrohet fundit, një pjesë e qytetarëve ende nuk kanë marrë rimbursimet e tyre nga skanimi i faturave fiskale përmes projektit “TVSH-ja ime”.
Ministria e Financave ka njoftuar se pagesat janë në proces dhe se mjetet do të transferohen në llogari brenda këtij muaji.
“Pagesa e fondeve për faturat fiskale të skanuara përmes aplikacionit ‘TVSH-ja ime’ kryhet brenda 60 ditëve pas përfundimit të tremujorit. Për tremujorin e tretë (korrik–shtator), afati ligjor për pagesë është 30 nëntori 2025. Vonesat më të shpeshta shkaktohen nga të dhënat e pasakta ose të paazhurnuara të llogarive të transaksionit në sistemin e PRO-së”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Financave.
Sa i përket spekulimeve se masa mund të shfuqizohet, Ministria e Financave nuk dha një qëndrim të drejtpërdrejtë, por theksoi se programi mbetet i bazuar në legjislacion dhe vazhdon të jetë në fuqi, ndërsa pagesat ekzekutohen sipas afateve ligjore.





