10.8 C
Skopje
Friday, October 31, 2025

OVL e UÇK-së i reagon Kurtit: Qëllimshëm u anashkaluam sërish

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të sotme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili në mbledhjen e Qeverisë ka folur për rritje të pensioneve dhe pagave.

Sipas OVL-UÇK-së, kryeministri në detyrë “edhe kësaj radhe nuk ka përmendur fare pensionet e veteranëve të luftës”.

Nga kjo organizatë thonë se Qeveria në detyrë po mundohet të krijojë përshtypje mashtruese me premtime për rritje që nuk mund të realizohen pa buxhet të miratuar nga Kuvendi.

Përmes këtij reagimi OVL e UÇK-së kërkon nga qeveria e ardhshme që pensionet e veteranëve të përfshihen në rritjen e pagës minimale.

“Në një kohë kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve, Qeveria në detyrë po mundohet të krijojë përshtypje mashtruese me premtime për rritje që nuk mund të realizohen pa buxhet të miratuar nga Kuvendi. Por edhe në këtë tentativë për mashtrim të qytetarëve, ku u përmendën të gjitha kategoritë shoqërore, veteranët e luftës së UÇK-së u anashkaluan sërish qëllimisht. Kjo është dëshmi e qartë se diskriminimi ndaj atyre që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës po vazhdon. Në vend që të përmirësohet trajtimi i dinjitetshëm për veteranët, Qeveria në largim po tenton t’i harrojë ata plotësisht, madje edhe në momentet e fundit të mandatit. OVL UÇK kërkon që çdo qeveri e ardhshme të kthejë atë që na takon me ligj, përfshirjen e pensioneve të veteranëve në rritjen e pagës minimale, të drejtë që u mohua padrejtësisht nga qeveria Kurti me ndihmën e Listës Serbe”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Qeveria në detyrë ka miratuar projektbuxhetin në vlerë prej katër miliardë euro për vitin 2026.

Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi mori vendim për rritjen e pensioneve në 150 euro, si dhe shtesave për fëmijë për 50 për qind nga muaji nëntor i këtij viti.

Po ashtu, qeveria në detyrë mori vendim për rritjen e pagës minimale për vitin 2026. Paga minimale u tha se do të rritet në dy faza: nga 1 janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 425 euro, ndërkaq nga korriku i vitit 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit