Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Vjosa Osmani, fituese e Çmimit 2025 ‘Women for Peace and Security’, i dërgoi një mesazh grave dhe vajzave në mbarë botën, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në ndërtimin e shoqërive më të drejta, më të forta dhe më paqësore.
Në fjalimin e saj, Osmani vuri në pah rolin e grave në historinë e Kosovës: “Rruga jonë drejt lirisë dhe shtetësisë nuk u shkrua vetëm nga burrat. Ajo u formua nga gratë dhe burrat që qëndruan krah për krah; nga gratë që udhëhoqën rezistencën paqësore, duruan dhe rezistuan në orët më të errëta të luftës dhe u bënë forca morale pas drejtësisë dhe rindërtimit të institucioneve.”
Presidentja theksoi se proceset e paqes dhe sistemet e sigurisë që përjashtojnë gratë nuk mund të jenë të qëndrueshme dhe se gratë nuk janë thjesht vëzhguese të progresit, por drejtueset e tij në politikë, diplomaci, ekonomi, biznes dhe siguri. “Kur gratë marrin pjesë plotësisht, shoqëritë bëhen më të drejta, më të forta dhe më të pasura,” tha Osmani, përcjellë KultPlus.
Ajo gjithashtu kujtoi Çmimin 2025 për Gra në Paqe dhe Siguri që mori nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, duke nënvizuar se ky çmim simbolizon përkushtimin për njohjen e lidershipit të grave si element thelbësor për forcimin e demokracive dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme.
“Avancimi i të drejtave dhe lidershipit të grave nuk është thjesht çështje drejtësie. Është thelbësor për shëndetin e demokracive tona, ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Zërat e grave nuk duhet kurrë të heshtin ose injorohen. Kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen gjithmonë më të forta. Kur barazia është reale, paqja bëhet më e qëndrueshme,” përfundoi Osmani.



