Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se masakra e Reçakut mbetet një kujtesë e përhershme për viktimat dhe dëshmi e krimeve të kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
Deklarata e saj erdhi pas një takimi me ambasadorin William G. Walker, një ditë para përvjetorit të 25-të të masakrës së Reçakut, njofton Presidenca.
“Në prag të përvjetorit të Masakrës së Reçakut, Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Ambasadorin William G. Walker, të cilin e falënderoi për kontributin e tij për të vërtetën për Reçakun.
Sipas Presidentes Osmani, Masakra e vitit 1999 nga regjimi gjenocidal i Serbisë është kujtesë e përhershme për 45 burrat, gratë dhe të moshuarit, të cilët u masakruan brutalisht më 15 janar 1999″, thuhet në njoftim.
“E vërteta e Reçakut është e pamohueshme”, ka potencuar presidentja Osmani.
Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin
Ndërkaq, në një intervistë për Dukagjinin, Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment historik që ndryshoi fatin e Ballkanit.
Ai e bëri këtë deklaratë pak para promovimit të librit të tij të ri, “Reçak: Historia e një krimi lufte”, i botuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”.
Walker e përshkroi këtë moment si një nga më të rëndësishmit në jetën e tij.
“E gjitha që mund të them është s kjo është ajo prej dy ose tri ditëve më të rëndësishme të jetës sime. Nuk ka mendim tjetër në mendjen time se ajo çka ka ndodhur në Reçak është që ka ndikuar në ndryshimin e diçkaje që është e madhe sa në tërë Ballkanin… Jam këtu që të mundohem t’i bind njerëzit që ta lexojnë librin për disa gjëra që ndodhën gjatë viteve 1998-1999”, ka thënë Walker.