Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat sipas saj hapin rrugë për rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin.
Osmani theksoi se këto marrëveshje do të sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, mbështetje për familjet dhe investime për bizneset, si dhe rritje të cilësisë në sektorë të rëndësishëm si shëndetësia, arsimi dhe sundimi i ligjit.
Sipas saj, investimet e parashikuara do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional, duke deklaruar se kur institucionet veprojnë së bashku, vendi përfiton dhe avancon në proceset zhvillimore./KultPlus.com



