Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë kundër propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si të kundërligjshme dhe të dëmshme për qytetarët.
Përmes një njoftimi, Presidenca ka bërë të ditur se ka analizuar raportet konsultative mbi përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë moment, një vendim i mundshëm nga Rregullatori për rritjen e çmimit të energjisë elektrike do të ishte në kundërshtim me kornizën ligjore, e cila e obligon ZRRE-në që ta sigurojë mbrojtjen e konsumatorit (Neni 1, Ligji për Rregullatorin e Energjisë)”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Sipas këtij institucioni, rritja e çmimit të energjisë, e cila në katër vitet e fundit ka arritur një rritje kumulative prej 126%, do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, duke shkaktuar një valë të re inflacioni.