Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën e Lybeniqit, duke theksuar se krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë dëshmojnë qëllimin shfarosës të regjimit serb gjatë luftës në Kosovë.
Në reagimin e saj, Osmani theksoi se në Lybeniq u vranë brutalisht edhe fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar, duke e cilësuar këtë si një nga dëshmitë më të rënda të dhunës së ushtruar ndaj popullsisë civile, përcjell KultPlus.
Ajo nënvizoi se, pavarësisht dhimbjes së madhe, familjarët e viktimave mbajnë edhe amanetin për ta ruajtur shtetin e ndërtuar mbi sakrificë, ndërsa Lybeniqi mbetet një plagë e hapur dhe një kujtesë e përhershme për çmimin e lirisë.
“Drejtësia për viktimat është detyrim moral, njerëzor dhe shtetëror”, ka theksuar Osmani.
Presidentja përmbylli mesazhin me nderime për të rënët, duke kërkuar që krimet të mos harrohen dhe drejtësia të vihet në vend.



