28.8 C
Skopje
Monday, September 15, 2025

Osmani kritikon deklaratat e Kurtit për incidentin ne Aeroportin e Shkupit

Presidenca e Republikës së Kosovës ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti që bëri gjatë ditës së djeshme në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut në lidhje me incidentin që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ku e përfshirë ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Presidenca tha se mënyra se si u trajtua incidenti i 2 gushtit është për keqardhje pasi siç thotë, i ka kontribuar propagandës kundër Republikës së Kosovës.

“Raportet për incidentin e paprecedentë në Aeroportin e Shkupit të përgatitura nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara dhe të qasshme, dhe kanë qenë tash e sa ditë. Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore, e mbi të gjitha, respekt për Republikën e Kosovës. Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, thuhet në reagimin e presidencës së Republikës së Kosovës.

Ndonëse Presidenca tha se vlerësojnë shprehjen e keqardhjes të kryeministrit Hristijan Mickoskit, thanë se institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës dhe shtuan se ajo çfarë ka ndodhur në aeroportin e Shkupit, ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare.

“Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por perkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare. Presidenca e Republikës e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave”, thuhet tutje në reagim.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Lajmet e fundit