Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), foli për rëndësinë historike të muajit mars 1998 dhe sakrificën e familjes Jashari në Prekaz.
“Muaji mars ishte muaji i përballjeve që vendosën drejtimin e historisë tonë. Pikërisht më 5, 6 dhe 7 mars 1998, në zemër të Prekazit, historia jonë mori drejtim të ri. Këtu qëndresa, sakrifica, heroizmi dhe e ardhmja jonë u vunë në një vend.
Në bedena të kullave të Prekazit qëndroi komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjen e tij, duke zgjedhur sakrificën përpara përkuljes, lirinë para frikës dhe mbi të gjitha nderin para jetës,” tha Osmani.
Presidentja theksoi se ato tri ditë marsi u bënë muaji i epopesë dhe i sakrificës që ringjalli një komb të tërë.
“Në ato tri ditë, 58 shpirtëra u bënë dritë për një popull. Këtu, krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri. Ky ishte kushtrimi që zgjoi Drencin, Kosovën dhe gjithë kombin, dhe ndërgjegjen e gjithë botës,” shtoi ajo.



