Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar punën dhe sukseset e sportistëve të xhudos gjatë një vizite në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë.
Ajo u prit nga kryemjeshtri Driton Kuka, si dhe nga kampionet olimpike Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu, së bashku me ekipin e Federatës së Xhudos së Kosovës.
Osmani theksoi se çdo vizitë në këtë qendër dëshmon për disiplinën, shpirtin garues dhe përkushtimin e sportistëve ndaj vendit. Ajo shprehu mirënjohje edhe për ekipet ndërkombëtare nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, të cilat zgjedhin Kosovën për stërvitje dhe zhvillim profesional.
Sipas presidentes, falë punës së vazhdueshme dhe vizionit të Federatës së Xhudos, Kosova është shndërruar në një pikë referimi në arenën ndërkombëtare të këtij sporti, duke tërhequr talente nga e gjithë bota./KultPlus.com



