Osmani: Kosova është gati për ekonominë e gjeneratës së ardhshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka prezantuar vizionin e Kosovës për ekonominë e gjeneratës së ardhshme në World Governments Summit në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke theksuar se Kosova është e gatshme për bashkëpunim, inovacion dhe rritje të qëndrueshme globale.

Presidentja Osmani para liderëve botërorë, investitorëve dhe përfaqësuesve institucionalë, ka theksuar se ekonomia globale po kalon një nga transformimet më të thella ndër breza, ku rritja nuk përcaktohet më nga madhësia apo gjeografia, por nga kapaciteti për të qeverisur, për të inovuar dhe për t’u përshtatur.

Duke rikujtuar të kaluarën e Kosovës, Osmani theksoi se vetëm 26 vjet më parë vendi doli nga një luftë gjenocidale me vuajtje të jashtëzakonshme, infrastrukturë të shkatërruar dhe ekonomi të rindërtuar nga zero.

“26 vjet më parë, unë nuk qëndroja në sallat e mundësive. Unë lutesha për të mbijetuar”, ka theksuar ajo, duke nënvizuar se për Kosovën paqja nuk është një ideal abstrakt, por “çështje jete”, sepse kur bota zgjedh të mbrojë më të pambrojturit, jetë shpëtohen dhe krijohen themelet e një të ardhmeje më të mirë.

Sipas saj, Kosova është shndërruar brenda një brezi në ekonominë me rritjen më të shpejtë në rajon, duke shtuar se ky rrugëtim nuk matet vetëm me shifra, por me dinjitet dhe qëndrueshmëri njerëzore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit