Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën e Izbicës, në 27-vjetorin e saj, duke e cilësuar atë si një nga plagët më të rënda të historisë së vendit.
Ajo rikujtoi se 147 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat serbe, mes tyre edhe foshnja 6-muajshe, Dafina Qelaj. “Një jetë që sapo kishte filluar, u shua barbarisht, bashkë me shumë të tjera, brenda shtëpive të tyre, vetëm pse ishin shqiptarë,” theksoi Osmani.
Presidentja u shpreh se Izbica nuk është vetëm dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të lirisë, por edhe një kujtesë që nuk duhet të zbehet kurrë, si dhe një thirrje që drejtësia të mos vonojë.
Ajo shtoi se krimet e kryera nga Serbia, me qëllim të shfarosjes së popullit shqiptar, duhet të përballen me drejtësinë, ndërsa kujtimi për të rënët mbetet obligim i përhershëm.
“Nderimi për martirët dhe dëshmorët është detyrë, ndërsa drejtësia për ta mbetet amanet,” përfundoi Osmani./KultPlus.com



