Osmani: Institucionet tona u ndërtuan në pasojat e një lufte gjenocid

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e tretë në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes trajtoi rrugëtimin e Kosovës nga rindërtimi pas luftës drejt një shteti që në themel ka sundimin e ligjit, forcimin e të drejtave dhe vendosjen e dinjitetit njerëzor në qendër të inovacionit.

“Republika e Kosovës është një vend i ndërtuar përmes guximit. Historia jonë është një rrugëtim nga mbijetesa në sovranitet, nga një tokë e shkatërruar nga lufta në një shtet që harton rregulla në dobi të qytetarëve të tij. Hap pas hapi, me mbështetjen e aleatëve dhe miqve të besueshëm, Kosova ka ndërtuar një arkitekturë ligjore dhe rregullatore që e vendos demokracinë në qendër dhe drejtësinë si shtyllën kryesore. Ajo që dikur ishte e brishtë, sot është bërë e qëndrueshme. Sot, Kosova nuk është më vetëm përfituese e solidaritetit ndërkombëtar; ne jemi kontribuues të tij, një vend që mësoi shpejt, ndërtoi me mençuri dhe tani flet me vetëbesim”, tha Osmani.

Sipas saj, nga ndërtimi i institucioneve nga e para deri te përmirësimi i tyre me qëllim të vërtetë, Kosova është bërë një shembull i gjallë se shoqëritë e qëndrueshme, të bazuara në rregulla dhe të udhëhequra nga qëllimi nuk janë vetëm të trashëguara, por edhe të ndërtuara, në kuptimin më pozitiv.

“Dhe mënyra më e mirë për të nderuar mbështetjen që kemi marrë nga miqtë dhe partnerët tanë anembanë botës është t’i ofrojmë botës atë që kemi mësuar. Zonja dhe zotërinj, sot ju flas si Presidentja e demokracisë më të re në Evropë, fuqishëm e përkushtuar për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e vazhdueshëm të demokracisë. Po ashtu, ju flas si dikush që e ka përjetuar ligjin nga brenda, si ligjëruese, studiuese e së drejtës dhe si person që ka qenë drejtpërdrejt e përfshirë në ndërtimin e themeleve kushtetuese dhe institucionale mbi të cilat qëndron sot Kosova”, tha ajo.

Sipas të parës, së vendit, ndërtimi i drejtësisë, hartimi i rregullave që duhet të qëndrojnë në kohë dhe mbrojtja e të drejtave ndërsa shoqëritë evoluojnë janë ndër përgjegjësitë më të vështira në shërbimin publik.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit