Kryetari i Shkup, Orce Gjorgjievski, ka prezantuar bilancin e 100 ditëve të para të mandatit, duke theksuar se ka trashëguar një situatë të rëndë financiare me borxh prej rreth 300 milionë eurosh, llogari të bllokuara dhe ndërmarrje publike me paga të papaguara.
Sipas tij, për tre muaj janë ulur obligimet për mbi 40 milionë euro përmes vendosjes së disiplinës financiare dhe shkurtimit të shpenzimeve joproduktive. Ai njoftoi se është stabilizuar pagesa e pagave në ndërmarrjet publike dhe janë larguar mbi 600 të punësuar fiktivë.
Në kuadër të aksioneve komunale, u realizua një ndër aksionet më të mëdha të pastrimit, ku për 72 orë janë larguar mbi 4.500 tonë mbeturina me angazhimin e rreth 2.500 personave. Gjithashtu, është pastruar shtrati i lumit Vardar, janë larguar objekte pa leje dhe janë vendosur shtylla mbrojtëse në hapësira publike.
Gjorgjievski theksoi se janë zhbllokuar projekte infrastrukturore që kishin mbetur pezull prej vitesh, përfshirë nyjën te “Momin Potok”, bulevardin “Maqedonia” me nëntokëzimin, rrugët “Ljubljanska”, “Pero Nakov” dhe rindërtimin e “Franjo Kluz”. Ai paralajmëroi edhe vazhdimin e ndërtimit të bulevardit “Boris Trajkovski”, një nga rrugët më të frekuentuara në qytet.
Në bashkëpunim me Qeverinë e Republika e Maqedonisë së Veriut, pritet modernizimi i transportit publik me autobusë ekologjikë dhe projekte për transport modern.
Kryetari theksoi se këto 100 ditë janë vetëm fillimi i reformave dhe projekteve kapitale që, sipas tij, do të sjellin stabilitet financiar, rend dhe zhvillim për qytetarët e Shkupit.



