Shërbimi jo cilësor, ndryshimet në kushtet e kontratave të abonimit, faturat e larta dhe prishja e kontratave me pagesë penalitetesh mbeten arsyet më të shpeshta për të cilat qytetarët i janë drejtuar Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE) për ndërmjetësim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Gjatë këtij viti, AKE ka pranuar gjithsej 346 kërkesa për zgjidhje kontestesh, krahasuar me 363 raste të regjistruara në vitin 2024. Nga vendimet e marra, 45 janë miratuar, 14 janë miratuar pjesërisht, 40 raste janë mbyllur me veprim të ndërmjetëm nga operatorët, ndërsa 109 kërkesa janë refuzuar. Pjesa tjetër e kërkesave ka qenë e paplotë, e dorëzuar sërish, jashtë kompetencave të Agjencisë ose është hedhur poshtë. Nga AKE theksojnë se qytetarët po i shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë mekanizmat mbrojtës që ofron ky institucion.



