Operacion rekord në historinë e Spanjës, sekuestrohen 10 tonë kokainë të fshehur mes ngarkesës së kripës

Policia spanjolle ka realizuar sekuestrimin më të madh të kokainës në det në historinë e saj, pasi zbuloi afro 10 tonë drogë të fshehura mes një ngarkese kripe në një anije tregtare pranë Ishujve Kanarie.

Sipas një deklarate të Policisë Kombëtare spanjolle, hetuesit dhe prokurorët kundër drogës kishin identifikuar një grup kriminal shumëkombësh që dyshohet se eksportonte “sasi gjigante” kokaine nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Anija e dyshuar ishte nisur nga Brazili.

Javën e kaluar, efektivë të njësisë elitare të operacioneve speciale hipën në anije, e cila ndodhej rreth 332 milje (535 kilometra) larg Ishujve Kanarie. Gjatë kontrollit, ata zbuluan rreth 300 pako kokaine të varrosura mes tonëve të kripës në hambarin e anijes. Në total u sekuestruan 9,994 kilogramë kokainë, ndërsa u arrestuan 13 persona. Anija, e cila kishte mbetur pa karburant, u tërhoq drejt portit të Santa Cruz de Tenerife, shkruan Guardian.

Pamjet video nga operacioni tregojnë oficerët duke përdorur lopata për të nxjerrë pakot e mbështjella me drogë nga masa e madhe e kripës. Gjatë operacionit u gjet edhe një armë zjarri, e përdorur nga grupi kriminal për të mbrojtur ngarkesën.

Operacioni, i koduar “White Tide”, u zhvillua në bashkëpunim me policinë federale braziliane, Administratën Amerikane Kundër Drogës (DEA), Agjencinë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe autoritetet franceze dhe portugeze. Policia spanjolle e cilësoi aksionin si një goditje vendimtare ndaj rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe një dëshmi të efektivitetit të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Rekordi i mëparshëm për sasinë më të madhe të kokainës së sekuestruar në det nga autoritetet spanjolle ishte 7.5 tonë, e kapur në korrik të vitit 1999. Ndërkohë, në vitin 2024, Spanja regjistroi sekuestrimin më të madh të kokainës që ka hyrë ndonjëherë në vend: mbi 13 tonë të fshehura në një ngarkesë bananesh nga Ekuadori.

Në total, autoritetet spanjolle sekuestruan 123 tonë kokainë gjatë vitit 2024, një rritje e ndjeshme krahasuar me 118 tonë në vitin 2023 dhe 58 tonë në vitin 2022, duke treguar përshkallëzimin e trafikut dhe intensifikimin e operacioneve kundër tij.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit