9.8 C
Skopje
Tuesday, November 4, 2025

OKB: Lufta në Sudan po del jashtë kontrollit

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka paralajmëruar se lufta civile në Sudan po përshkallëzohet dhe se situata humanitare po del jashtë çdo kontrolli. Ai ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe për rifillimin e bisedimeve për paqe mes palëve ndërluftuese.

Konflikti mes forcave të armatosura sudaneze (SAF) dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) ka hyrë në vitin e dytë, duke shkaktuar, sipas OKB-së, një nga krizat më të mëdha humanitare të shekullit XXI. Mbi 150 mijë persona janë vrarë dhe më shumë se 14 milionë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Javën e kaluar, RSF-ja, e cila raportohet se mbështetet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, mori kontrollin e qytetit El Fasher në Darfur pas një rrethimi pothuajse 18-mujor. Qyteti është kthyer në një vatër vuajtjesh, uri dhe dhune, ndërsa raportohen krime të rënda ndaj civilëve.

Në rrjete sociale janë shpërndarë video ku shihen ushtarë të RSF-së duke qëlluar civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, madje edhe brenda spitalit të maternitetit të qytetit.

“Kriza tronditëse në Sudan po del jashtë kontrollit. Qindra mijëra njerëz janë të bllokuar nën rrethim, pa ushqim, ujë e ndihmë mjekësore. Ata po vdesin nga uria, sëmundjet dhe dhuna”, tha Guterres në një konferencë për shtyp gjatë Samitit Botëror për Zhvillimin Social në Katar.

Kreu i OKB-së u bëri thirrje forcave ndërluftuese që “të ulen në tryezën e bisedimeve dhe t’i japin fund këtij makthi të dhunës tani”. Ai theksoi se El Fasheri dhe rajonet përreth në Darfurin Verior janë kthyer në qendra të urisë dhe shpërnguljeve masive.

Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka konfirmuar se po mbledh prova për vrasje masive, përdhunime dhe krime të tjera të kryera në El Fasher dhe zonat përreth.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit