Oda e Mjekëve të Maqedonisë së Veriut do t’i shqyrtojë informacionet mbi rastin e drejtorit të shkarkuar të Klinikës së Neurologjisë, Dr. Igor Kuzmanovski, dhe njoftoi se do të veprojë në përputhje me juridiksionin e saj, pasi dje u publikua një video që tregonte Kuzmanovski duke përzier një substancë të bardhë pluhur në një tas, për të cilën aludohet se është kokainë, transmeton Portalb.mk.
Oda e Mjekëve tha për Tellma se po i ndjekin me shqetësim informacionet në lidhje me Kuzmanovskin, duke treguar se profesioni mjekësor ka një dimension specifik që kërkon sjellje të lartë etike dhe morale.
“Një mjek duhet të jetë i vetëdijshëm se me çdo akt të papërshtatshëm, të pavlerë, të pandershëm dhe poshtërues, përveç kompromentimit të vetes, ai kompromenton edhe të gjithë kolegët e tjerë”, deklaroi Oda e Mjekëve.
Sipas Statutit të Odës Mjekësore, Gjykata e Nderit është organi që, me kërkesë të Prokurorit të Dhomës, diskuton dhe vendos për përgjegjësinë e anëtarëve të Odës për një shkelje të kryer nga pikëpamja etike dhe profesionale dhe për një shkelje të Kodit të Etikës dhe Detyrave Mjekësore.
Kuzmanovski, nga ana tjetër, i cili dje pas publikimit të videos u shkarkua nga pozicioni i drejtorit të Neurologjisë me vendim të Ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, kërkoi falje në Facebook për procedurën, duke deklaruar se kjo ndodhi në një moment dobësie dhe para se të merrte përsipër menaxhimin e Klinikës së Neurologjisë.
“Është një procedurë për të cilën nuk jam krenar dhe e konsideroj një moment të dobësisë sime që nuk duhet të jetë shembull. Çdo person në jetë është përballur me dobësi, sfida dhe gabime. U kërkoj falje të gjithëve që i kam zhgënjyer dhe do të vazhdoj të punoj si mjek, atë që di më shumë, ta dua dhe ta jetoj, të shpëtoj jetë, të ndihmoj dhe të punoj për të mirën e komunitetit”, deklaroi Kuzmanovski.
Për rastin e Kuzmanovskit reaguan edhe partitë politike. VMRO–DPMNE në pushtet, nga radhët e së cilës vjen Kuzmanovski, ishte e para që foli dhe mbështeti vendimin për shkarkimin e Kuzmanovskit nga pozicioni i drejtorit, duke u bërë thirrje institucioneve të veprojnë në përputhje me ligjin dhe procedurat.
Sot u deklaruan edhe nga LSDM-ja opozitare, duke kërkuar përgjegjësi penale për Kuzmanovskin, si dhe hetim të plotë të punës së tij të përgjithshme si mjek dhe drejtor i Klinikës së Neurologjisë. Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i bëri thirrje Dhomës së Mjekëve që të reagojë edhe për rastin e Kuzmanovskit duke vlerësuar se sa gjatë kishte ndodhur kjo dhe nëse një mjek në një gjendje të tillë mund të trajtonte pacientë.