Viruset e traktit të frymëmarrjes vazhdojnë të jenë aktive. Në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve është rritur numri i kontrolleve por edhe fëmijëve të hospitalizuar. Një pjesë e tyre trajtohen edhe me mbështetje oksigjeni.
“Për momentin pacientët më të vegjël janë në moshë shumë të hershme, që nga të sapolindurit deri rreth tre ose katër muaj. Disa prej tyre janë në mbështetje me oksigjen, megjithatë aktualisht nuk kemi pacientë në gjendje të rëndë shëndetësore. Zakonisht, rreth 20 deri në 30 për qind e të gjithë pacientëve të hospitalizuar paraqesin simptoma dominuese respiratorë,” deklaroi Vesna Micevska, mjeke.
Sipas mjekëve aktualisht dominon virusi respirator sincicial, i cili karakterizohet me kollë të fortë.
“Virusi respirator sincicial është karakteristik se ka pasqyrë më të rëndë klinike tek fëmijët më të vegjël, respektivisht tek foshnjat ndërsa tek fëmijët më të mëdhenj kalon më lehtë. Tek më të vegjlit fillon me sekrecion të hundëve dhe kollitje, që më pas vjen tek infeksion më i vështirë siç është bronkoliti, ose ndezje e mushkërive të bardha që manifestohen me kollitje të rëndë, vështirësi në frymëmarrje dhe nevojë për shërim spitalor,” tha Vesna Micevska, mjeke.
Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar, veçanërisht tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Prindërit këshillohen të shmangin ekspozimin e fëmijëve në ambiente të mbushura me njerëz, të mbajnë higjienë të rregullt dhe në rast të simptomave si kollë e fortë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore. /Alsat/



