22.8 C
Skopje
Thursday, September 11, 2025

Nuk ka zgjidhje për problemin e mbeturinave, banorët e Hasanbegut druajnë nga përhapja e sëmundjeve

Sëmundjen e kemi para shtëpive, thonë banoret e Hasanbegut të Shkupit, të cilët me ditë të tëra presin qe të merren mbeturinat e grumbulluara para shtëpive të tyre.

Thasë të zinj, mbetje organike dhe gjësende të hedhura qëndrojnë të shpërndara para shtëpive. Era e rëndë e mbeturinave është bërë pjesë e përditshmërisë për shumë familje në Hasanbeg, thonë banorët duke shtuar se prej ditësh, mbeturinat nuk janë marrë nga shërbimet komunale.
“Para dere e kemi sëmundjen ja shikoje, jo vetëm te unë por gjithkund njësoj është. Kërkojmë nga institucionet që t’i grumbullojnë mbeturinat sepse edhe kjo është lagje e Shkupit. Pagesën e bëni sigurisht? Po, e bëjmë pagesën rregullisht i kemi edhe faturat që paguajmë por nuk ka rend këtu tek ne e sidomos në Hasanbeg, s’ka asgjë”, tha një qytetar.

“Që tre javë nuk kanë ardhur t’i marrin, ja shikoje si është. Kërkojmë që të vijnë t’i marrin siç duhet mos i lanë kështu”, tha një tjetër qytetar.

“Në rrugën tonë që 20 ditë nuk i kanë larguar. A jeni ankuar? Çfarë thonë? Kryetari i bashkësisë lokale është ankuar por ne ku të ankohemi, s’kemi ku të ankohemi.

Kërkojmë t’i marrin çdo javë siç ishte më herët, çdo të hënë i merrnin, nuk kërkojmë asgjë tjetër”, u shpreh një qytetar.
Ndonëse në disa rrugë janë larguar mbeturinat pas ankesës së banorëve dhe kronikës së Alsat, në shumë rrugë të tjera presin ende ndonjë kamion të shfaqet dhe të grumbulloj mbeturinat, thotë kryetari i bashkësisë lokale të Hasanbegut.

“Vetëm një rrugicë është pastruar e pjesa tjetër është e njëjtë, siç ishte më herët është edhe tani me mbeturinat. Ja këtu e ka para dere nuk mundët as të del në oborr dhe më thirrin dhe reagoi që mbeturinat duhet të largohen se as në oborr nuk mund të rrimë nga era e keqe”, deklaroi Rexhep Ali Kadriu – Kryetar i bashkësisë lokale të Hasanbegut.

Nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale- Shkup”, pas denoncimit të problemit nga banorët e Hasanbegut, thanë se puna e grumbullimit po zhvillohet sipas orarit të caktuar por sipas banorëve, mbeturinat janë larguar vetëm në një pjesë të Hasanbegut. Përveç Hasanbegut, tash e një kohë i gjithë Shkupi po përballët me mos grumbullim të mbeturinave dhe deponi të krijuara prapa kontejnerëve të stërmbushur. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit